Përurohet impianti i ujërave të zeza në Vlorë

Edi Rama: Për shumë vite kishte mbetur në mëshire të fatit

Impianti për përpunimin e ujërave të zeza në Vlorë ka nisur nga puna këtë të diel. Për kryeministrin Edi Rama investimi është një nga investimet me të rëndësishme për këtë zonë, por jo i fundit.

Sipas kryeministrit një tjetër problem që do të marrë zgjidhje në Vlorë është zhdukja e fushës së plehrave të qytetit.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se, “kjo vepër është shumë e rëndësishme për mjedisin dhe turizmin”. Rama theksoi se pas polemikave për Lungomaren, tashmë vlonjatët po heshtin për punimet në bulevard, pasi kanë kuptuar se qeveria di se çfarë bën.

“Në krahasim me Lungomaren, vlonjatët nuk kanë ankesa për bulevardin. E kanë kuptuar që projektet gjykohen në fund. Ne e dimë se çfarë duam dhe e dimë se çfarë bëjmë për të shndërruar infrastrukturën e Vlorës”, u shpreh Edi Rama.

Rama u ndal dhe tek ndërtimi i Aeroportit të Vlorës. Sipas tij vetëm emrin do të ketë të tillë pasi do të sherbejë për gjithë Jugun e vendit dhe do të garantojë fluks të madh udhëtarësh drejt Greqisë dhe Italisë.

E pranishme ne inaugurim ishte dhe Romana Valhurin, ambasadore e Bashkimit Europina , i cili është financuesi i këtij projekti prej 15 milionë eurosh.