Përplasje mes gardës dhe deputetëve të PD, Noka hyn nga kangjellat në Kryesi

Deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me punonjësit e Gardës së Republikës në hyrjen kryesore të Kryesisë së Kuvendit.

Garda ka mbyllur derën e ambienteve të Kryesisë për të mos lejuar deputetët demokratë të përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare.

Teksa kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e Kuvendit, deputetët e PD nuk ia kanë dalë, përveç Flamur Nokës, i cili kaloi sipër kanggjellave.

I vetmi që kishte mundur të hynte në ambientet e Kuvendit ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga brenda ambienteve, e cilësoi ngjarjen si një skandal pasi deputetët nuk po lejohen të futen në zyrat e tyre.

Ditën e premte u përjashtuan me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.

“Deputetët nuk mund të ndalohen të mblidhen në grupin e tyre. Kjo që bën Edi Rama, është akti më i shëmtuar, më i paprecedent.

Të kërkon kohën kur dajo i tij kërkonte të fuste tanket dhe ushtrinë në protestën e studentëve.

Kjo është fytyra më e turpshme e këtij institucioni, që në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, mbron interesat kriminale të Edi Ramës dhe bandës së tij.

Ju nuk mund të bllokoni deputetët të shkojnë në zyrat e tyre.

Ky Kuvend kaloi në klandestinitet.

U bëj thirrje qytetarëve që të kuptojnë se cili është regjimi i Edi Ramës sot.

U mbyll dyert deputetëve për të kaluar në zyrat e tyre, ndërsa deputetët e vet i kalon në klandestinitet në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Nuk ka akt më të shëmtuar, kurrë nuk ka ndodhur, as në Bjellorusinë e Lukashenkos.

Ky është parlamenti Rama-Linda!

Deputetët e opozitës janë të vendosur të përmbushin detyrimet e tyre.

Edi Rama i ka hyrë lepuri në bark, i është kallur data nga krimet dhe pasuritë e paligjshme”, tha Berisha.