Përpjekjet e Turqisë mbajtën në axhendën botërore vrasjen e Khashoggit

Turqia që nga dita e parë ndau me botën informacione lidhur me vrasjen e Khashoggit, të pranuar nga autoritetet saudite...

Duke zhvilluar një diplomaci intensive për detajet e vrasjes dhe fatin e gazetarit Jamal Khashoggi i cili u vra në mënyrë brutale pasi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe duke mbajtur në axhendën botërore këtë vepër, Turqia ka siguruar që të pranohet krimi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Turqia që nga dita e parë ndau me botën informacione lidhur me vrasjen e Khashoggit, të pranuar nga autoritetet saudite. Vrasja është kryer pasi ai hyri më 2 tetor në konsullatë për procedura të martesës dhe nga ku nuk doli më pas.

Pas hetimit të nisur për zbardhjen dhe gjetjen e fajtorëve të ngjarjes, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë më 4 tetor thirri në ministri ambasadorin saudit në Ankara, Waleed bin Abdulkerim al-Elkhereiji për një deklaratë lidhur me çështjen.

Al-Elkhereiji u thirr sërish në ministri më 7 tetor të cilit iu bë e ditur se presidenti Recep Tayyip Erdoğan ndjek personalisht këtë çështje dhe se rezultatet që do dalin do të njoftohen për botën.

Presidenti Erdoğan dhe ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu biseduan me homologët e tyre dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare lidhur me vrasjen e Khashoggit.

Në këtë periudhë, Erdoğan bisedoi me liderë dhe zyrtarë përshirë këtu mbretin e Arabisë Saudite, Selman Bin Adulaziz, presidentin amerikan Donald Trump dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Artikulli “Khashoggi” i presidentit Erdoğan për “Washington Post”

Presidenti Erdoğan në një artikull për “Washington Post” vlerësoi periudhën një mujore që kaloi nga vrasja, duke thënë se “Turqia në periudhën një mujore që ka kaluar ka mobilizuar të gjitha mundësitë e saj për të zbardhur me të gjitha detajet ngjarjen e përjetuar. Si rezultat i këtyre përpjekjeve tona e gjithë bota mësoi se Jamal Khashoggi është vrarë me gjakftohtësi nga një njësi atentatorësh. U zbulua në mënyrë kategorike se vrasja ishte planifikuar paraprakisht”.

Duke parashtruar pyetjen “Ku është kufoma”, Erdoğan në artikullin e tij tha:

“Ne e dimë se ata që kanë kryer vrasjen ndodhen brenda 18 personave të dyshuar që janë arrestuar në Arabinë Saudite. Po ashtu e dimë se këta persona kanë ardhur për të zbatuar urdhrat e dhënë ndaj tyre për të vrarë Jamal-in dhe për t’u larguar nga Turqia. Së fundmi ne e dimë se urdhri për masakrimin e Jamal-it ka ardhur nga autoritetet më të larta të qeverisë saudite”.

Erdoğan këtë çështje e potencoi edhe në Samitin e Liderëve G20 ku ai mori pjesë duke thënë: “As bota islame dhe as opinioni botëror nuk mund të jenë të kënaqur pa zbulimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë vrasje brutale, nga porositësit e deri tek ekzekutorët”.

Raportuesja speciale e OKB-së kritika Arabisë Saudite për “minimin e hetimit”

Çavuşoğlu lidhur me vrasjen e Khashoggit zhvilloi bisedime me shumë ministra dhe zyrtarë, përshirë kryesisht homologët amerikanë dhe ato evropianë.

Përballë deklaratave që sollën në rend dite “hetimin ndërkombëtar” që Çavuşoğlu bëri në bisedat dhe deklaratat e tij, Arabia Saudite hodhi hapin e saj duke nxjerrë urdhër arresti për ish-këshilltarin e Zyrës mbretërore Saud Al-Qahtani dhe zv.kreun e inteligjencës, Ahmed Al-Asiri për “projektim dhe vrasje me dashje me ndjenjë monstruoze ose dhunimi”.

Çavuşoğlu bisedoi edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe raportuesen speciale të OKB-së për ekzekutimet pa gjyq, Agnes Callamard që vizituan Turqinë.

Callamard tha se “Hetimi efektiv, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe transparent i Turqisë, u minua në mënyrë serioze nga Arabia Saudite”.

Komisionieri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut përgatiti një raport prej 101 faqesh lidhur me çështjen dhe i bëri thirrje Guterresit për fillimin e një hetimi kriminal. Në raport u theksua se “Arabia Saudite duhet të kërkojë falje nga qeveria turke për abuzimin e privilegjeve diplomatike dhe shkeljen e ndalesës për përdorimin e forcës jashtë territorit të saj”.

Krahas Erdoğan-it dhe Çavuşoğlu-t edhe deklaratat dhe iniciativat e shumë zyrtarëve të tjerë turq siguruan që vrasja të trajtohet edhe në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së.

Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel në këtë periudhë vizitoi Turqinë dhe pasi mori informacione lidhur me krimin ajo mbajti një fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Princi i kurorës mori përsipër përgjegjësinë

Khashoggi shkoi fillimisht më 28 shtator 2018 në konsullatën saudite në Stamboll për procedura martese dhe atij iu la takimi sërish më 2 tetor.

Hatice Cengiz, e fejuara e Khashoggit pas mosdaljes së tij nga konsullata dhe për të cilin u tha se “doli” telefonoi këshilltarin e kryetarit të përgjithshëm të Partisë AK, Yasin Aktay dhe gazetarin Turan Kışlakçı. Me deklaratat e Aktay dhe Kışlakçı çështja u njoftua për të gjithë botën.

Në ditën e takimit që iu caktua Khashoggit, në Turqi mbërriti njësia saudite e vrasjeve prej 15 personash dhe më pas u përcaktua se po të njëjtën ditë ata u larguan nga Turqia me dy avionë.

Ndërsa konsullata pavarësisht se “në ditët e para pretendoi se Khashoggi është zhdukur pasi doli nga ndërtesa” ajo pranoi vrasjen 18 ditë më pas. Princit i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman më pas deklaroi se “Kjo ngjarje ka ndodhur nën përgjegjësinë time. Marr përsipër të gjithë përgjegjësinë”.

Në gjykimin që filloi në Arabinë Saudite pas vrasjes nuk u deklaruan identitetet e personave që u gjykuan me kërkesën për dënim me vdekje dhe dënim me burg.