Përfundon hetimi në rezidencën e konsullit saudit në Stamboll

Zyrtarët turq së bashku me një ekip të ekzaminimit të vendit të ngjarjes sot në orët e mëngjesit u larguan nga rezidenca e konsullit saudit, ku realizuan ekzaminime në rezidencë si dhe në oborrin e saj

 Përfundojnë hetimet në rezidencën e konsullit saudit në Stamboll të realizuar nga zyrtarët turq për hetimin e rastit të gazetarit saudit të zhdukur të Washington Post, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët turq së bashku me një ekip të ekzaminimit të vendit të ngjarjes sot në orët e mëngjesit u larguan nga rezidenca e konsullit saudit, ku realizuan ekzaminime në rezidencë si dhe në oborrin e saj dhe kërkuan dëshmi në lidhje me rastin.

Dëshmitë e mbledhura u vendosën në kuti dhe qese të posaçme dhe u bartën në automjetin e ekzaminimit të vendit të ngjarjes.

Pas përfundimit të punimeve të ekipit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, të cilët u shoqëruan edhe nga zyrtarët sauditë, të gjithë zyrtarët në grupin e përbashkët punues u larguan nga rezidenca e konsullit saudit.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Sipas burimeve të sigurisë, Khashoggi shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll për procedura të martesës, ndërsa më pas u konfirmua se nuk është larguar më nga konsullata dhe se në të njëjtën orë në ndërtesën e konsullatës kanë mbërritur 15 qytetarë sauditë, duke përfshirë edhe zyrtarë të cilët më pas janë kthyer në vendet nga kishin ardhur.