Përfshirje në trafik droge, çfarë po ndodh me policët dhe komandot?

Efektivi i Policisë Rrugore, Florenc Bicerri u arrestua në Turqi për trafik droge. Autoritetet turke arrestuan Bicerrin së bashku me shtetasin Kujtim Çelikun, ish-komando, i skeduar më parë për vjedhje pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Raportohet se efektivi i policisë rrugore në Tiranë mori leje nga puna dhe në datën 5 tetor fluturoi së bashku me shtetasin Kujtim Çeliku nga Rinasi drejt Turqisë, ku dhe u kapën me një sasi të konsiderueshme droge nga autoritetet turke.

Ndërkohë Polica Rrugore që prej datës 8 tetor ka nisur hetimin disiplinor për efektivin si dhe procedurën për largimin e tij nga puna si shkak e mosparaqitjes në detyrë.

Ky nuk është rasti i parë që punonjës të policisë janë të përfshirë në trafik droge, veprimtari kriminale apo janë shndërruar në roje të elementëve kriminale, siç ishte rasti i fundit i Jeton Lamit që shoqëronte shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Por jo vetëm unifomat blu, problematike shfaqet situata me efektivët e regjimentit të operacioneve speciale te njohur si komando.

Shumë efektivë pas mbarimit të misioneve, mbeten të papunë duke i shndërruar në rrezik potencial për sigurinë.

Ata shfaqen në skena të ndryshme kriminale si vrasës me pagesë, grabitës të rrezikshëm, trafikantë droge e deri në xhihadistë.