Kina akuzoi sot SHBA-të për përdorimin e termit “koronavirusi kinez” që përshkruan shpërthimin global, duke pretenduar gjithashtu se virusi mund të ketë origjinën në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Akuzat erdhën pasi Robert Redfield, drejtori i Qendrës së SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), raportoi para Kongresit lidhur me virusin.
Duke iu drejtuar Redfield, Hua Chunying, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, reagoi përmes Twitterit: “Është absolutisht e gabuar dhe e papërshtatshme ta quajmë këtë koronavirusi kinez”.
Lijian Zhao, kolegu i Chunying, gjithashtu postoi në Twitter: “CDC u kap në vepër. Kur në SHBA filloi zero pacientë? Sa njerëz janë të infektuar? Cilat janë emrat e spitaleve?”.
“Mund të jetë ushtria amerikane që e solli epideminë në Wuhan”, shtoi Zhao, duke e lidhur si provë një teori konspirative në një faqe të interneit.
Origjina e koronavirusit besohet të jetë Wuhan, kryeqyteti i provincës Hubei të Kinës, ku u shfaqën rastet e para dhjetorin e kaluar.
“Shpresojmë se zyrtarë të caktuar amerikanë do të përqendrohen në reagimin e brendshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në vend që të përpiqen ta zhvendosin fajin në Kinë duke mohuar përpjekjet kineze në luftën kundër epidemisë”, tha Lijian.
Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si Covid-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, por që nga atëherë është përhapur në më shumë se 105 vende.
Numri global i vdekjeve është afro 5.000, me mbi 135 mijë raste të konfirmuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.