Pedagogët më të shumtë në ditën e dytë të protestës

Pedagogët e universiteteve publike në Tiranë dhe rrethe kanë zhvilluar të martën ditën e dytë të protestës për rritjen e pagave.

Ndryshe nga çfarë ka ndodhur nëpër rrethe, pedagogët të cilët sot kanë qenë të shumtë përballë Fakultetit Politeknik në Tiranë, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë protestuar duke nisur nga ora 10:00 deri në 12:00.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se bojkoti i mësimit do të jetë i përditshëm deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Do vazhdojmë protestën tonë, 7% është i pavlefshëm për të ndryshuar situatën e arsimit të lartë. Bojkoti do të vazhdojë çdo ditë derisa qeveria të premtojë se do plotësohen kërkesat. Sot nuk do të ketë mësim, studentë të na mirëkuptojnë. Mbi 75% e publikut kanë mbështetur idenë se kemi të drejtë në kërkesat tona. Përshkallëzimin nuk e duam, s’duam të ndërpresim mësimin. Do zëvendësohen orët e mësimit, në orë shtesë, fundjavë”, tha Kovaçi.

Prej disa javësh, pedagogët e universiteteve publike janë në protestë për të kërkuar rritje të pagës me 50% brenda dy viteve.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur pedagogëve duke thënë se do të ketë një rritje prej 7% të pagës, por pjesa tjetër do të lihet në vendimmarrjen e universiteteve.