PDIU reagon për bisedimet Shqipëri-Greqi

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se kërkojnë takim me ministrin Bushati, për të sqaruar opinionin publik rreth bisedimeve me Greqinë, konkretisht se çfarë është biseduar me palën greke për zgjidhjen e Çështjes Çame

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë reaguar ndaj deklaratave të zyrtareve grekë, dhe për bisedimet Shqipëri-Greqi për çështjet e hapura mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një konferencë për mediat, tha se kërkojnë takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të sqaruar opinionin publik rreth bisedimeve me Greqinë, konkretisht se çfarë është biseduar me palën greke për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe se nëse është zbatuar “Rezoluta për Çështjen Çame” e Kuvendit të Shqipërisë.

“Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e duhura ligjore, si dhe do të intensifikojmë e do të radikalizojmë qëndrimin tonë, ndaj çdokujt që mendon se do të mund të nëpërkëmbë dinjitetin tonë dhe të Çamërisë. Ne do të ftojmë çdo shqiptar patriot t’i bashkohet protestave tona për dinjitet e integritet kombëtar ndaj kujtdo që mendon se çështje të tilla mund të lihen apo të merren sipas dëshirës dhe që nuk i trajton nga pozita reciprociteti dhe dinjiteti”, tha Idrizi.

Idrizi tha më tej PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” shprehin shqetësimin nga deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias dhe atij të Mbrojtjes, Panos Kammenos, se “jemi të kënaqur me marrëveshjen me palën shqiptare, morëm çfarë deshëm dhe që nuk kemi biseduar asnjëherë me palën shqiptare për Çështjen Çame.”

Kujtojmë se në muajt e fundit mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare, por edhe për çështje të tjera.

PDIU ka insistuar që pjesë e bisedimeve të jetë edhe zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

Nga masakrat dhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.