Pasqyrim të saktë të ngjarjevet të fundit-në Turqi në vend të shtrembërimit dhe të manipulimit të opinionit

Realiteti turk, me dinamikën e tij të jashtëzakonshme, po u imponohet gjithnjë e më tepër mjeteve të informimit për ta ndjekur atë nga afër e për ta pasqyruar gati çdo ngjarje në kohën më të shkurtër, shpesh madje në mënyrë të drejtpërdrejtë...

Realiteti turk, me dinamikën e tij të jashtëzakonshme, po u imponohet gjithnjë e më tepër mjeteve të informimit për ta ndjekur atë nga afër e për ta pasqyruar gati çdo ngjarje në kohën më të shkurtër, shpesh madje në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Përditshmëria shoqërore, politike, ekonomike, etj., e Turqisë në transformim të shpejtë prodhon lajme në mënyrë të vazhdueshme, dhe kjo dukuri është në vetvete një lajm i mirë për mediat, gjithmonë në kërkim të diçkaje të re.
Lajmet për Turqinë janë tanimë të kudogjendshme dhe në mjetet shqiptare të informimit, si asnjëherë më parë, duke i ardhur në ndihmë një publiku të interesuar gjithnjë e më të interesuar për ecurinë e vendit të përkufizuar e të përcaktuar qartë e zëshëm nga qeveria shqiptare si “partner strategjik”. Pak janë ato vende që gëzojnë të njëjtin mbulim mediatik të rezervuar Turqisë.

Për të ardhur keq, por ky informacion jepet jo rrallë i pasaktë. I parë, i analizuar dhe i transmetuar pa iu përmbajtur së vërtetës, me dashje apo pa dashje ai i shërben manipulimit të mendjeve. Dhënia e një realiteti krejt ndryshe asaj që ndodh vërtet është kthyer prej një kohe në një fenomen shqetësues.

Dhe kur vëren në terren kontributin e stërmadh turk në Shqipëri nëpërmjet ndihmave, financimeve, ndërtimeve, përveç atij të papikasshëm me sy të lirë, ndjesia e parë e krijuar pas leximit, dëgjimit apo shikimit të raportimeve të pasakta mbi ngjarje në Turqi është habia, e ndjekur nga pikëpyetje të lindura mbi qëllimet e shtrembëruesve të realitetit turk.
Por nuk përbën më çudi që mjete informimi të caktuara e kanë shndërruar në rutinë dhënien e informacioneve të gënjeshtërta për vendin euroaziatik, orientuar në mënyrë të dukshme nga nxitës aspak qëllimmirë, aspak mirëdashës. Dhe këtu nuk përjashtohen as mjete të huaja informimi që kanë programet e tyre në gjuhën shqipe.

Fondacioni “ALSAR” po e ndjek prej kohësh këtë zhvillim të pakëndshëm, të kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm. Si kontribues i përhershëm për marrëdhënie të ngrohta e të ngushta mes dy vendeve mike, “ALSAR” nuk e sheh aspak të tepërt reagimin kurdo që e vlerëson të nevojshëm. Siç po bën tani, e shtrënguar dhe nga një fushatë manipulimi për dy ngjarje specifike të ditëve të fundit.

Deklarimet e para disa ditëve në një kanal informativ turk të ministrit të Brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu, janë nxjerrë jashtë konteksit dhe janë dhënë në mjetet shqiptare të informimit si shpallje se grushtin e dështuar të shtetit më 15 korrik 2016 nuk e ka bërë FETÖ-ja!

Për të qeshur me lot, pasi çfarë është raportuar nuk ka aspak lidhje me atë që ka thënë zyrtari i lartë turk në intervistë. E kundërta është e vërtetë, dhe Süleyman Soylu nuk ka bërë asgjë më shumë se një përsëritje të asaj që ka shprehur hapur prej asaj dite të errët në historinë e Turqisë: se FETÖ-ja nuk është organizuesja e vetme e grushtit të shtetit, por se pas asaj organizate terroriste dhe si mbështetëse të saj qëndrojnë të tjerë!

Për përgjegjësinë e FETÖ-s si organizuese e grushtit të dështuar të shtetit nuk ka dyshime në Turqi, madje pak dyshim ka dhe se kush qëndron prapa saj. Atë se kush është i interesuar që ta japë të shtrembëruar dhe jashtë kontekstit në mediat shqiptare deklarimin e zyrtarit të lartë turk çdokush mund ta mendojë si të dojë, por një e vërtetë është zgjatja e duarve të FETÖ-s këtu, gjë për të cilën paralajmërojnë pandërprerë shtetarët turq, si një kërcënim real për sigurinë dhe në vendin tonë.

Ngjarjet e ditëve të fundit në Universitetin Boğaziçi (Boğaziçi Üniversitesi), që për shkak të pretenduar kanë patur emërimin e rektorit të ri, janë pasqyruar gjithashtu jo si duhet në mjetet tona të informimit, nën tituj pa asnjë lidhje me të vërtetën.

Emërimi i rektorit të ri të atij universiteti, nga më të njohurit dhe më me prestigj në Turqi, është kryer në respekt të të gjitha rregullave për emërime të tilla. Rektori vetë, Melih Bulu, ka qenë dhe vazhdon të jetë i hapur për të biseduar me studentët, ashtu si shumica e komentatorëve politikë nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në kundërshtinë e studentëve.
Çështja është se pjesëmarrës në protestat e pretenduara si studentore janë njerëz që nuk i përkasin aspak universitetit në fjalë, por opozitarë të pushtetit. Aty gjen partiakë të dy partive opozitare, CHP dhe HDP, por dhe anarkistë e terroristë të të gjitha llojeve.

Protestat nuk janë të studentëve. Ata pak në protesta po përdoren, po shfrytëzohen për skema destabilizimi; një skenar i përsëritur dhe i parë dendur në përpjekjen për të frenuar përparimin e Turqisë!

Për Fondacionin “ALSAR”, e vërteta është një, por ajo duhet të jepet e pashtrembëruar, duke i qëndruar besnik dhe misionit të gazetarit. Çdo përpjekje për të dhënë një panoramë joreale të zhvillimeve në Turqi është turp për sponsorizuesit dhe përgatitësit e saj!