Partizani zyrtarizon Skender Gegën trajner, Olsi Rama: Do jetë Wengeri ynë

Partizani u prezantua si trajneri i ri i Partizanit në zyrat e klubit të kuq. 54-vjeçari, një ish-futbollist i 15 herë kampionëve të vendit, kthehet pas shumë vitesh në shtëpi, për t’i kthyer lavdinë një prej skuadrave më të titulluara në vend.

“Jam i kënaqur që do të jem pjesë e Partizanit. Vij këtu me një mentalitet dhe projekt të ri. E kam pasur këtë fat dhe ndihem krenar, që do të jem pjesë e tij. Janë shumë gjëra që do t’i kapim në detaje, por duke punuar do të shohim hap pas hapi. Klubi ka disa probleme, pasi ka lojtarë që janë larguar. Nuk dua t’i bëj analizën të kaluarës, por dua të rri sa më gjatë, sepse kam lidhje me këtë fanellë. Klubi ka histori të madhe dhe përgjegjësia është e madhe. Tashmë duhet të shohim përpara dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qenë një model në Shqipëri. Koha është e shkurtër dhe duhet të vrapojmë.”

Gega e pranon se Partizani ka nevojë për ndërhyrje emergjente në të gjitha repartet, por pa harruar vëmendjen te lojtarët e akademisë.

“Do të mundohemi të afrojmë shumë lojtarë, edhe nga akademia. Kjo duhet të ndodhë jo vetëm për aq kohë sa të jetë Gega trajner, por edhe më vonë. E kam ndjekur Partizanin edhe më përpara. Mendoj se kemi nevojë për ndërhyrje në të gjithë repartet. Çdo njeri në jetë e ka shansin e tij të parë dhe i dyti nuk dihet, nëse të vjen ndonjëherë. Për mua ky ishte shansi i parë. Partizani ka boshtin e tij dhe ka lojtarë me potencial. Nuk duhet t’i shohim kundërshtarët si armiq. Dje jam prezantuar me ekipin, sot është stërvitja e parë dhe tani do të shohim për më të mirën.”

Skënder Gega njihet për karakterin e tij të fortë, ndaj disiplina është një nga tiparet themelore që duhet të ketë skuadra e tij.

“Çdo ekip sportiv duhet të ketë disiplinë. Unë nuk kompromentohem si trajner dhe jam kërkues. Do të jem shumë i saktë për t’i dhënë secilit hakun. Do të mundohem të mos tolerojmë në fushën e lojës, pasi Shqipëria është e vogël dhe çdo gjë merret vesh. Unë e di sesa i vuajnë këto rezultate tifozët. Besoj se do t’u rikthejmë shpresat atyre, për të kaluar aty ku e meritojnë. Batha dhe Fejzullahu? Të dy i kam afruar me meritë në kombëtaren U-21. Por, kjo është e kaluara. Nëse do të vinin këtu, atëherë do të ishin sërish në provë”.

Sa ju tremb fakti që Partizani ka vite që nuk fiton titullin?

Klubi ka histori të madhe dhe përgjegjësia është e madhe. Dëshira ime është që në këto 25 vite të kishte 25 kupa. Çfarë ka ikur ka ikur. Tashmë duhet të shohim përpara dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qenë një model në Shqipëri. Të punojmë si profesionista më pas të përdorim dëshirat. Koha është e shkurtër dhe duhet të vrapojmë.

Për fat të mirë klubi i Partizanit në marrëveshjen që kemi bërë nuk është Liga e Europës objektivi por shumë më gjatë. Do mundohemi të afrojmë shumë lojtarë të rinj në skuadër dhe të hedhim themelet e ekipit të ri.

Ku do të synoni të përforcoheni?

E kam ndjekur Partizanin edhe pa qenë trajner. Jam i lidhur me këtë skuadër. Çdo ekip ka nevojë për riparime edhe ai që ka dalë kampion. Partizani ka nevojë për ndërhyje për të gjitha repart. Çdo gjë do varet nga buxheti i klubit. Lojtari i  ri bëhet i madh nëpërmjet punës. Preferoj një lojtar me të ardhme dhe nuk ka luajtur me ekipe të mëdha. Duhet të dinë kërkesat e skuadrës.

Çdo njeri në jetë ka një shans. Varet si e përdor, i dyti mbase nuk vjen. Ky është shansi im i parë. Si sportist e kam pasur edhe shansin edhe nderin të jem pjesë e Partizanit. Si trajner do bëj të pamundurën që të justifikoj shansin dhe të rri gjatë.

A e ka Partizani një bosht lojtarësh? A mos ndoshta ndryshimet e shumta janë një rrezik?

Klubi do të kërkojë përsosmërinë. Nuk është në dorën time. Unë do të dëshirojë lojtarin më të mirë të Superligës, lojtarin më të mirë në vendet fqinjë, por varet nga kërkesa e lojtarëve. Partizani e ka boshtin. Ka lojtarë që mund të rriten. Ka mënyra të ndryshme për të menaxhuar një ekip. Uroj që gjerat të shkojnë mirë.

Me Skënderbeun e dënuar dhe Tiranën e rikthyer, kampionati është më i lehtë apo më i fortë?

Mendoj që është e njëjta gjë. Duhen vlerësuar dhe respektuar të gjithë kundërshtarët. Më e rëndësishmja është të respektojmë veten tonë.

Kë shikoni rivalin më të fortë?

Rivalët shikohen çdo ditë. Tirana, Skënderbeu, Kukësi, Luftëtari, pa injoruar edhe Durrësin, ka shumë skuadra të forta.

Gjatë prezantimit të tij ka folur edhe drejtori i përgjithshëm i Parizanit, Olsi Rama, duke e vlerësuar atë dhe duke shprehur mbështetje maksimale për projektet që do te nisin së bashku në të ardhmen. Ja dhe fjala e plotë e drejtorit Rama:

“Shpresoj ta nisim me këmbë të mbarë sezonin. Në përiudhën e shkurtër që unë jam te Partizani, Skënderi është trajneri i tretë. Shpresoj të jetë me ne për një kohë të gjatë. Shpresoj të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe të dalë në pension te Partizani, duke u bërë një Arsen Venger i dytë.

Dua të them arsyet e zgjedhjes së trajnerit. E para vjen natyrshëm në familjen e Partizanit. Është një nga lojtarët që ka kontribuar në vitet 80 dhe është kthyer në vitin 1995.

Zgjedhja ishte një vendim i përbashkët i strukturave të klubeve. Gega vjen nga kultura amerikane dhe atje është një kulturë tjetër. Ka kontribuar për ekipin e U19 dhe U21.

Lojtarët që janë në pikuan e Partizanit, trajneri i ka kaluar dhe i ka pasur tek moshat e ekipit kombëtar. Njeh jo vetëm lojtarët e Partizanit por edhe lojtarët e tjerë shqiptarë. Ka qenë një kontribuues për sjelljen e lojtarëve nga Kosova. Ne besojmë te integriteti i tij.