Partizani e nis Champions League me barazim pa gola

Partizani e ka nisur aventurën e tij në Champions League me një barazim 0-0 ndaj Qarabag, në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Selman Stërmasi”.

Të kuqtë e drejtuar nga italiani Franco Lerda patën disa raste për shënim, ku iu afruan golit më shumë me Bjelicën, i cili goditi traversën pas zhvillimeve të një goditjeje këndi në pjesën e dytë.

Ndërsa në 30 minutat e fundit të lojës Partizani u përqendrua më shumë të mos pësonte, duke iu frikësuar një goli të pësuar në fushën e tij.

Çështja e kualifikimit shtyhet për në Azerbajxhan, kur në datën 17 korrik do të luhet ndeshja e kthimit mes kampionëve në fuqi të Shqipërisë dhe atyre të Azerbajxhanit. /A2News