Partia qeverisëse e Turqisë: Askush nuk mund të rrëmbejë demokracinë

"Askush nuk mund të rrëmbejë ose të shkatërrojë demokracinë tonë, të ndërhyjë në sistemin politik të Turqisë", tha Çelik

Zëdhënësi i partisë në pushtet të Turqisë ka deklaruar se askush nuk mund të rrëmbejë ose shkatërrojë demokracinë e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një mbledhjeje të bordit të partisë, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik, foli për komentet e kandidatit të supozuar të demokratëve të SHBA-ve, Joe Biden.

“Askush nuk mund të rrëmbejë ose të shkatërrojë demokracinë tonë, të ndërhyjë në sistemin politik të Turqisë”, tha Çelik.

Në një videoklip që u bë viral, Biden tha se, “Ne mund t’i mbështesim ato elemente të lidershipit turk që akoma ekzistojnë dhe të marrim më shumë prej tyre dhe t’i përvetësojmë ata që të jenë në gjendje të marrin përsipër dhe të mposhtin Erdoğan-in. Jo me grusht shtet, por me një proces zgjedhor”.

Komentet e tij, të regjistruara dhjetorin e kaluar, por së pari të raportuara të shtunën, u dënuan nga i gjithë spektri politik në Turqi, si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga ato në opozitë.

Biden aktualisht është përpara në shumicën e anketave në SHBA, por zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit janë akoma larg.

Duke iu referuar komenteve të Biden-it, Çelik kritikoi përkrahësit e grupeve terroriste.

“Kushdo që mbështet PYD/PKK-në, u dërgon atyre armë, ata janë që duan vdekjen për fëmijët kurdë”, tha Çelik.

Ai shtoi se asnjë qytetar kurd i vendit nuk do të bëhet pjesë e kësaj axhende imperialiste.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.