Partia AK reagon ashpër ndaj Izraelit lidhur me mandatin e TIPH në El Khalil

"Ky hap i Izraelit tregon se janë planifikuar agresione të reja. I bëjmë thirrje gjithë botës që të jetë më e kujdesshme në lidhje me situatën në El Khalil", tha Çelik

 Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ömer Çelik, ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e Izraelit për të mos e vazhduar mandatin e Pranisë së Përkohshme Ndërkombëtare (TIPH) në qytetin e okupuar El Khalil (Hebron) në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter, zëdhënësi Çelik ka rikujtuar se Izraeli ka vendosur të mos e vazhdojë mandatin e Pranisë së Përkohshme Ndërkombëtare (TIPH) në qytetin e okupuar El Khalil (Hebron) në Bregun Perëndimor.

“Duhet të dënohet ky hap i ri i Izraelit, i cili dëshiron të mbulojë paligjshmëritë. Nuk është e besueshme për askënd, pretendimi i qeverisë së Netanyahut e cila ka paraqitur si aryse se TIPH punon kundër Izraelit. Arsyetimi i qeverisë së Netanyahut është një përpjekje për të ndryshuar të vërtetën”, tha Çelik.

Ai ka theksuar se situata në El Khalil duhet të jetë në vëmendjen e të gjithë botës. Çelik tha se “Është shumë e hapur se Izraeli i ka ndërmarrë këto hapa për të shmangur pajtueshmërinë me ligjin dhe përgjegjësinë ndërkombëtare. Heqja e kësaj force nuk nuk eliminon llogaridhënien”.

“TIPH ndodhet në rajon që nga viti 1997, me ftesë të Qeverisë Palestineze dhe Izraelit, për të krijuar një ndjenjë sigurie për palestinezët në El-Khalil. Kjo nevojë nuk është eliminuar. Përkundrazi prania e një force të tillë është bërë edhe më e nevojshme. Ky hap i Izraelit tregon se janë planifikuar agresione të reja. I bëjmë thirrje gjithë botës që të jetë më e kujdesshme në lidhje me situatën në El Khalil”, tha Çelik.