Parlamenti izraelit miraton ligjin e diskutueshëm

Shumica e dispozitave të draftit të ri janë në kundërshtim me dispozitat ekzistuese, sipas së cilës në Izrael të gjithë qytetarët kanë të drejta dhe mundësi të barabarta

 Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi projekt-ligjin me të cilin Izraeli definohet si shtet-komb hebre, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot herët në mëngjes, Knesseti me 62 vota ‘për’ dhe 55 ‘kundër’ miratoi projekt-ligjin që nxiti polemika dhe kritika të mëdha në rajon.

Opozita izraelite kundërshton projekt-ligjin në fjalë, ndërsa deputetët arabë në parlament në shenjë proteste pas miratimit, grisën kopjet e tekstit të diskutueshëm.

Në kulmin e tensioneve të larta, rojet e sigurisë nxorrën nga salla deputetët arabë.

Nga ana tjetër, deputetët hebrenj të cilët votuan për miratimin e draftit, festuan duke u fotografuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është protagonisti kryesor i këtij akti.

Po ashtu edhe presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ka kritikuar më parë planin e diskutueshëm që injoron të gjitha të drejtat e gati 2 milionë palestinezëve të cilët janë shtetas të izraelit ndërsa hebrenjtë i vendos në pozitë të privilegjuar të qytetarëve të rendit të parë.

Rivlin përmes një letre drejtuar deputetëve theksoi se projekt-ligji mund të ofendojë hebrenjtë që jetojnë në vende të tjera dhe se Izraeli mund të bëhet objekt i sulmeve të ashpra për shkak të diskriminimit të popullatës jo-hebreje. Ai kërkoi rishikimin e dispozitave të diskutueshme të projekt-ligjit, i cili u refuzua në parlament nga opsioni në pushet.

Pasi që Izraeli nuk ka kushtetutë klasike, por ligje bazike të cilat janë aktet më të larta të vendit, projekt-ligji i miratuar do të përfshihet në të dhe Izraeli do të definohet si shtet-komb i të gjithë hebrenjve.

Autoritetet izraelite edhe deri më tani kanë zbatuar politika diskriminuese ndaj popullatës arabe, ndërsa me projekt-ligjin e ri kjo u legalizua. Kështu, gjuha arabe do të humbasë statusin e gjuhës zyrtare, të cilin ekskluzivisht do ta ketë gjuha hebreje.

Ndër të tjerat, festat hebreje u shpallën si festa shtetërore, ndërsa Kudsi si kryeqytet i Izraelit.

Shumica e dispozitave të draftit të ri janë në kundërshtim me dispozitat ekzistuese, sipas së cilës në Izrael të gjithë qytetarët kanë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Shpallja e Izraelit si atdheu i të gjithë hebrenjve gjithashtu mohon të drejtat e palestinezëve për tokën e tyre të pushtuar.

Gjithashtu inkurajohen hebrenjtë nga vendet tjera që të vendosen në Izrael, ndërsa pamundësohet kthimi i palestinezëve të dëbuar.