Parlamenti i Turqisë dënon të ashtuquajturin “plan i paqes” të SHBA-së

Turqia do të vazhdojë t'i mbrojë të drejtat themelore të palestinezëve në arenat ndërkombëtare, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive parlamentare turke

Përmes një deklarate të përbashkët, partitë parlamentare të Turqisë dënuan të ashtuquajturin plan i paqes për Lindjen e Mesme të shpalosur nga SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke e përshkruar të ashtuquajturën “marrëveshja e shekullit” si një “plan të paqëndrueshmërisë dhe konfliktit”, ligjvënësit turq nënvizuan se ai përjashton palestinezët, “një nga dy pjesët” e mosmarrëveshjes midis Izraelit dhe Palestinës.

“(Plani) është kundër vendimeve të OKB-së dhe perspektivës së zgjidhjes dyshtetërore”, thuhet në deklaratë, në të cilën ai është cilësuar si përpjekje për ta shndërruar okupimin e Palestinës në aneksim.

Dje në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, SHBA po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Në deklaratën e firmosur nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Turqisë po ashtu theksohet se Turqia asnjëherë nuk do të mbështesë asnjë iniciativë e cila “injoron të drejtat dhe liritë themelore të palestinezëve”.

Turqia do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat themelore të palestinezëve në arenat ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.