Parlamenti i Greqisë ratifikoi “Marrëveshjen e Prespës”

"Sot në Ballkan jemi duke hapur një faqe të re. Urrejtja, mosmarrëveshjet dhe konfliktet të shkaktuara nga nacionalizmi i lanë vendin miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit", ka shkruar Tsipras në median sociale

Parlamenti i Greqisë ratifikoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë e cila zgjidh “çështjen e emrit” që zgjati 28 vite mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Marrëveshja e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”, fillimisht u diskutua në parlamentin grek.

Në parlamentin me 300 deputetë, 153 deputetë votuan në favor të marrëveshjes, kurse 146 u shprehën “kundër”, ndërkohë që një deputet abstenoi.

Marrëveshja kaloi me votat e 145 deputetëve të partisë në pushtet SYRIZA, si dhe me mbështetjen e tetë deputetëve nga parti të tjera.

Ndërkaq, kur radha erdhi për votën e Konstandinos Barbarousis, deputetit të partisë djathtiste ekstreme “Agimi i Artë”, ai u shpreh “jo tradhtisë”, me çka pasoi një debat i shkurtër në parlament.

– “Maqedonia e Veriut do të jetë një vend mik”

Menjherë pas votimit, kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, përmes një postimi në median sociale tha se tashmë në Ballkan po hapet një faqe e re.

“Sot në Ballkan jemi duke hapur një faqe të re. Urrejtja, mosmarrëveshjet dhe konfliktet të shkaktuara nga nacionalizmi i lanë vendin miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit”, ka shkruar Tsipras.

“Maqedonia e Veriut e lindur sot do të jetë një vend mik”, shtoi kryeministri grek.

Pas ratifikimit të marrëveshjes edhe në Greqi, dy vendet përmbushën detyrimet drejt finalizimit të marrëveshjes, me çka Maqedonisë i hapet rruga për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin “Maqedonia e Veriut”.

Marrëveshjes e Prespës u nënshkrua në muajin qershor të vitit 2018 nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim e Maqedonisë në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kuvendi i Maqedonisë këtë marrëveshje e ratifikoi më 11 janar me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, respektivisht me 81 vota.