Parlamenti danez miratoi vendimin për dërgimin e migrantëve në ishull të shkretë

Bëhet fjalë për një ishull që më parë është përdorur si poligon për testimin e sëmundjeve infektive të kafshëve të kryer nga Universiteti Teknik i Danimarkës

 Parlamenti i Danimarkes ka miratuar projektligjin për dërgimin e migrantëve në ishullin e shkretë Lindholm, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të debatit për buxhetin për vitin e ardhshëm, parlamenti danez miratoi projektligjin për ndërtimin e “exit qendrës”, gjegjësisht qendrës për riatdhesim të migrantëve.

Ligjin e mbështetën partitë në pushtet, liberale dhe konservatore, si dhe ajo radikale djathtiste Partia Popullore.

Qendra për migrantë me kapacitet deri në 125 persona do të hapet në vitin 2021.

Plani i Qeverisë daneze që migrantët t’i mbledhë në ishullin e shkretë me sipërfaqe prej shtatë hektarëve hasi në mospëlqim të ashpër në opinion dhe shkaktoi protesta në disa qytete të mëdha të këtij vendi. Tubimet i mbështetën shumë organizata joqeveritare, përfshirë ActionAid Denmark, Amnesty International dhe Save the Children.

Bëhet fjalë për një ishull që më parë është përdorur si poligon për testimin e sëmundjeve infektive të kafshëve të kryer nga Universiteti Teknik i Danimarkës.