“Papunësia është sot në kuotat më të ulëta të 27 viteve të fundit, – deklaroi sot nga Berati Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se, – sot kemi më shumë sipërmarrje të vogla falë politikave lehtësuese të qeverisë”.
Në një takim me banorë të Beratit, Kryeministri Rama u shpreh i vetëdijshëm për nevojat e përmirësimit të infrastrukturës arsimore apo shëndetësore, por nënvizoi disa nga arritjet që janë bërë në këtë drejtim.
Sa i takon shëndetësisë, Rama foli për programin kombëtar të ndërtimit të 300 qendrave shëndetësore në gjithë vendin brenda këtij mandati.
“Qendrat e rindërtuara shëndetësore janë modele transformimi rrënjësor të qendrave të vjetra, që ishin në kushte jo dinjitoze dhe nuk u jepnin asnjë zgjidhje problemeve të njerëzve, pavarësisht stafit të përkushtuar. Vitin e kaluar ndërtuam 80 qendra, 100 do të ndërtohen sivjet dhe 300 brenda këtij mandati”, – tha Rama, raporton Top Channel.
Duke folur për ekonominë, Kryeministri theksoi se “ekonomia në tërësi ka hyrë në rrugën e duhur, edhe pse asnjëherë nuk është mjaft, kur vjen fjala tek ekonomia”.
“Ne jemi në rrugën e duhur. Biznesi është lehtësuar ndjeshëm nga taksat e së shkuarës. Sot kemi më shumë sipërmarrje të vogla dhe kemi një hapësirë me taksim minimal 0–5% për bizneset, – tha Rama, duke shtuar se, – rritja e rrogave të ulëta në sektorin privat mund të bëhet vetëm duke rritur investimet dhe ekonominë”.