Ministri i Jashtëm i Palestinës, Rijad al-Maliki ka paraqitur ankesë zyrtare në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) kundër Izraelit lidhur me kërcënimin e ministrit izraelit për “hedhjen e bombës bërthamore në Gaza”, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, Al-Malki i dërgoi letër zyrtare drejtorit të përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Mariano Grossi të mërkurën, ku tha se kërcënimi bërthamor është “në përputhje të plotë me diskursin që mbizotëron në Izrael” kundër palestinezëve.
Al-Maliki shtoi se kërcënimi paraqet “njohje zyrtare se Izraeli posedon armë bërthamore dhe armë të shkatërrimit në masë”.
Në letër, kryediplomati palestinez i kërkoi mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së dhe të gjitha shteteve anëtare të saj që të dënojnë Izraelin dhe të ndërmarrin veprime kundër kërcënimit të “hedhjes së bombës bërthamore në Gaza”.
Të dielën, ministri izraelit i Trashëgimisë Amichai Eliyahu, anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, u tha mediave izraelite se si opsion është edhe hedhja e “bombës bërthamore” në Gaza.
Izraeli nuk ka pranuar prej kohësh publikisht nëse posedon armë bërthamore. Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit të rezistencës palestineze, Hamasi, më 7 tetor.
Të paktën 10.569 palestinezë, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është afër 1.600.