Paketa ekonomike siguron dyfish page për të vetëpunësuarit dhe dyfish ndihma ekonomike

Qeveria ka vendosur të mbështesë me një kuotë financiare në nivelin e dy pagave të vetëpunësuarit, ata që trajtohen me pagese papunësie dhe ata që janë me ndihmë ekonomike.

Kryeministri Rama njoftoi firmosjen e aktit ndërsa evidentoi se ky dyfishim vjen pasi në këtë situatë “lufte” është e rëndësishme të ndiqet edhe zakoni, përpos ligjit.

Rama theksoi se për të vetëpunësuarit në bizneset e vogla, në regjistrin shtetëror figurojnë 731 milionë lekë paga ne muaj, mirëpo në shumicën e rasteve regjistrohet vetëm kryefamiljari, me pagën minimale.

“Ne do t’i shtojmë edhe gruas së kryefamiljarit pagën e “luftës”, kështu që çdo i regjistruar me ose pa pagë, si i vetëpunësuar nga familja në biznes të vogël do të përfitojë një pagë “lufte”.  731 milionë lekët e pagave të deklaruara nga ata do të bëhen 1.57 miliardë lekë të reja, dyfishi, duke kompensuar të gjithë të punësuarit apo të vetëpunësuarit në një biznes të vogël, pavarësisht se shumica figurojnë si të punësuar pa pagë” tha Rama përsa i përket biznesit të vogël, duke shtuar se në total, janë 60.440 persona.

Nga ana tjetër, përsa i përket familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, Rama tha se në total janë 71 mijë familje të cilat përfitojnë 340 milionë lekë në muaj, shumë e cila do të bëhet 680 milionë lekë, duke marrë në konsideratë se edhe familjet që përfitojnë asistencë sociale, punojnë herë pas here “në të zezë”.

“Kemi në regjistrin e ndihmës shtetërore edhe të papunët, dyfish do ta bëjmë edhe pagesën e papunësisë” shtoi Rama më tej, transmeton Scan.