Pahor në Beograd: Mbështes dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës

"Ky është një proces që në radhë të parë duhet të jetë tolerant, i besueshëm dhe me zgjidhje paqësore e të mos sjellë probleme të tjera në rajon", tha presidenti slloven Pahor

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor sot deklaroi se e mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, duke ofruar ndihmën e Sllovenisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje si dhe mbështetje Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Pahor, i cili po qëndron në vizitën e tretë në Serbi, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se Sllovenia mbështet ambiciet e Serbisë për t’u bashkuar me BE-në.

Për këtë arsye, për të ishte e rëndësishme të dëgjojë Vuçiç-in se çfarë kishte për të thënë në lidhje me çështjet që janë të rëndësishme në rrugën evropiane, siç është çështja e Kosovës.

“Si mik i yti dhe i vendit tënd, unë e mbështes dialogun dhe nuk shoh ndonjë alternativë për të. Unë nuk e di se kur dhe si do të përfundojë, kjo varet nga negociatat, por atë çfarë mund Sllovenia të ndihmojë, unë kam ofruar ndihmë të sinqertë”, tha Pahor.

Ai gjithashtu vlerësoi se rregullimi i çështjeve në rajon në masë të madhe varet nga vet udhëheqësit e rajonit.

“Ne si udhëheqës përgjegjës duhet të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë për procesin e pajtimit, besimit reciprok dhe zgjidhjes së çështjeve dypalëshe”, tha Pahor.

Pahor theksoi se shumë udhëheqës evropianë e kanë pyetur për mendimin e tij rreth marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës për korrigjimin e mundshëm të kufijve, ku tha se për këtë nevojitet urtësi e madhe dhe përkushtim të madh për zgjidhje paqësore të kontekstit si dhe mbështetje të madhe të vendeve tjera të rëndësisshme që marrëveshja të jetë e suksesshme.

“Ky është një proces që në radhë të parë duhet të jetë tolerant, i besueshëm dhe me zgjidhje paqësore e të mos sjellë probleme të tjera në rajon. Unë nuk do ta hedhja këtë si një zgjidhje, por do të isha shumë, shumë i kujdesshëm”, tha Pahor.

I pyetur për të komentuar mbi protestat që po mbahen kundër autoriteteve në Beograd, por edhe në qytete të tjera në Serbi, presidenti i Sllovenisë, tha se nuk vlerëson se Serbia është në një krizë politike dhe se çdo gjë tjetër që do të thoshte do të ishte ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se beson në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e Kosovës, e cila garanton paqe dhe se Serbia ka mbështetjen e Sllovenisë.

“Nëse mund të mbërrijnë diçka serbët dhe shqiptarët, jam i bindur se do të kemi mbështetjen e Sllovenisë”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia dëshiron që zëri i Sllovenisë të jetë edhe më i fortë në Bruksel.

Sipas fjalëve të tij, gjithnjë e më pak njerëz në Serbi dëshirojnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës, sepse ata mendojnë se është mirë kështu siç është tani.

Ai shtoi se ka frikë se kështu mund të bëhet më keq dhe se hapësira për kompromis të mundshëm po ngushtohet.

I pyetur për të komentuar deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Mire Cerar, se Serbia ndoshta nuk është e përcaktuar mjaftueshëm në rrugën evropiane, Vuçiç tha se Serbia është në rrugën evropiane, por do të vazhdojë të mbajë marrëdhëniet me Rusinë.

Vuçiç foli gjithashtu për protestat kundër autoriteteve duke thënë se kur do të shkojnë në votime, të gjitha ato parti politike që marrin pjesë në to nuk do të jenë në gjendje të fitojnë.

Presidentët e të dy vendeve do të marrin pjesë në forumin e biznesit Serbi-Slloveni ndërsa Pahor do t’u drejtohet gjithashtu deputetëve në një sesion të posaçëm në Parlamentin e Serbisë.