“Pa përpjekjet e Turqisë, vrasja e Khashoggit do të mbulohej qëmoti”

Shefi i Komunikimit i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, e cilësoi si "të papranueshme" akuzën e kryediplomatit francez ndaj presidentit Eddoğan për "luajtje të lojërave politike"

 Shefi i Komunikimit i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se sikur të mos ishin përpjekjet e vendosura të Turqisë në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, rasti do të mbulohej qëmoti, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente Altun i bëri pas deklaratave të ministrit të Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, i cili duke folur mbi vrasjen e Khashoggit, tha se vendi i tij nuk ka pranuar regjistrime mbi vrasjen dhe akuzoi presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për “luajtje të lojërave politike”.

“Është e papranueshme akuza e tij ndaj presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan për ‘luajtje të lojërave politike’. Nuk duhet harruar se po të mos ishin përpjekjet e vendosura të Turqisë, ky rast do të mbulohej qëmoti”, tha Altun në një deklaratë me shkrim.

“Ndarja e provave mbi vrasjen e Jamal Khashoggit me zyrtarët e shumë shteteve mike, tregon haptazi qëllimin e Turqisë për zbardhjen e së vërtetës. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau sot në një konferencë për media konfirmoi se kanë marrë provat nga Turqia”, shtoi Altun.

Ai theksoi se gjatë këtij procesi, edhe Franca nuk është trajtuar ndryshe, duke shtuar se edhe me njësitë relevante të shtetit francez janë ndarë provat në lidhje me vrasjen e Khashoggit.

“Më 24 tetor të vitit 2018, një përfaqësues i inteligjencës së Francës dëgjoi audio-regjistrimet dhe pranoi të dhëna të detajuara, pëfshirë edhe deshifrimin e regjistrimeve. Nëse ka shkëputje në komunikim mes institucioneve të ndryshme të Francës, nuk është Turqia që duhet ta zgjidhë këtë problem, por autoritetet franceze”, tha Altun.

“Turqia vazhdon të punojë për zbardhjen e të gjitha detajeve mbi vrasjen e Khashoggit, përfshirë edhe atë se kush e ka dhënë urdhrin për vrasje. Në këtë drejtim, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, me në krye Francën, të bëjnë hapa në drejtim të këtij qëllimi”, është shprehur shefi Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun.