Osmani: Në asnjë mënyrë të mos lejohet të vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave për kosovarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin e Gjermanisë, Italisë dhe atë të Sllovenisë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për raportet ndërshtetërore në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani, e cila këtë takim e ka zhvilluar në kuadër të takimeve me ambasadorë të akredituar në Kosovë të vendeve të ndryshme të Bashkimi Evropian (BE), ka diskutuar me theks të veçantë për zhvillimet politike që kanë rrjedhur pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Siç njofton presidenca kosovare, duke falënderuar Gjermaninë, Italinë dhe Slloveninë për përkrahjen e vazhdueshme që ato ia kanë dhënë Kosovës në procese të ndryshme, Osmani theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo përkrahje të vazhdojë edhe tani kur Kosova pret që të përmbyllet procesi shumë i rëndësishëm i krijimit të mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit të saj, “proces i cili e prek drejtpërsëdrejti jetën e tyre”.

“Po kaq e rëndësishme është që të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së”, theksoi Osmani, duke theksuar se vendet e BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Këshillit Evropian i cili konfirmoi se mbështet rekomandimin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Presidentja kosovare shprehu besimin e saj që kërkesat teknike, lidhur me ETIAS, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani po ashtu ka kërkuar edhe përkrahjen e mëtejme të këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas presidentes, anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, ngase u jep atyre mundësi që t’i mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe e ndihmon vendin që t’i avancojë më tej të drejtat e njeriut.

Në ditët e ardhshme presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera, për t’i diskutuar me ta këto procese.

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur më 13 tetor në Këshilli i BE-së, u propozua që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë – ETIAS.

Ky propozim u bë nga zyrtarët francezë dhe u mbështet prej të paktën katër shteteve tjera, respektivisht Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në muajin e nëntor.