Osmani-Hahn: Presim që skriningu të përfundojë verën e ardhshme

Zv/kryeministri Osmani theksoi se “ky sukses i sotëm paraqet realizimin e ëndrrës historike për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”

Komisari për politikë fqinjësore dhe bisedime për zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn, i ka shoqëruar përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Komisionit Evropian në ditën e dytë të takimit të punës për skriningun shpjegues për Maqedoninë dhe Shqipërinë për përgatitje të bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton zyra për shtyp e Qeverisë së Maqedonisë, menjëherë pas shqyrtimeve përfundimtare, zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe eurokomisari Hahn u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Osmani iu falënderua përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini, Eurokomisarit Hahn, si dhe administratës së Komisionit Evropian për këmbënguljen dhe përkushtimin pa rezervë në ndihmën e Maqedonisë për të zhvendosur sfidat e saj drejt integrimeve në BE.

Osmani potencoi se “shumë shpejtë pret që gjuha maqedonase të përfshihet në grupin e gjuhëve zyrtare të Unionit, edhe atë sepse dje dhe sot Maqedonia shkruan historinë”. Ai theksoi se delegacioni i zgjeruar qeveritar merr pjesë në takimet zyrtare me përfaqësues të Komisionit Evropian, ku me precizitet dhe hollësisht shqyrtohet Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat fundamentale), si pjesë e fazës përgatitore para fillimit të bisedimeve.

“Në të vërtetë ky është momenti që gjatë kohë e kemi pritur, për të cilin me kujdes jemi përgatitur dhe për të cilin me kontributin tonë janë inkorporuar të gjitha qeveritë e mëparshme, të cilat i përfaqësojnë të gjithë faktorët më të rëndësishëm politik të vendit. Lejoni që sot, në ditën e dytë të procesit të skriningut, të konstatoj se ia dolëm. Maqedonia pa kthim po shkon drejt anëtarësimit të plotë të Bashkimit Evropian dhe nga kjo rrugë nuk ka kthim pbrapa”, deklaroi Osmani.

Osmani theksoi se “ky sukses i sotëm paraqet realizimin e ëndrrës historike për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”.

Ndërkaq, njofton zyra për shtyp e Qeverisë së Maqedonisë, Eurokomisari Hahn tha se skriningu dyditor është shumë i rëndësishëm sepse e vendos rrugën e ecurisë së dy vendeve për disa muaj në vijim. Ai theksoi se është i vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij procesi ambicioz për shkak të aktiviteteve të shumta, të cilat duhet të realizohen deri në hapjen e bisedimeve.

Hahn tha se gara pozitive është garë e dobishme dhe është në interes të të gjithëve dhe se sa më e madhe të jetë gara aq më i mirë është procesi. Ai shtoi se i gjithë procesi është bazuar në merita dhe nuk ka garanci se kryesuesit aktualë, Serbia dhe Mali i Zi, do të arrijnë të parët deri në qëllimin final.

Ai potencoi se vet procesi është në interes të qytetarëve dhe avancon kushtet e tyre për jetë, sundimit të së drejtës, stabilizimit, ekonomisë dhe tërheqjes së investitorëve, të cilët do të hapin vende të reja të punës dhe në cilën mënyrë “ikja e trurit” do të zëvendësohet me qarkullimin e fuqisë punëtore.

Sipas tij, për qytetarët nuk është interesante sesa kapituj janë të hapur dhe se duhet të gjendet gjuha me të cilën do të prekim deri te qytetarët. Ai theksoi se ky problem është i dukshëm edhe në vendet që janë në fazën më të avancuar të procesit.

“Është ajo që njerëzit BE-në e shohin si diçka që vazhdimisht kërkon reforma dhe dikton nevojën për shpjegim para njerëzve para rezultateve pozitive dhe ndikimit të cilin vet procesi e ka në jetët tyre, e jo vetëm ndikimi që do ta ketë me qëllimin final, aderimin”, theksoi Hahn.

Hahn potencoi se mandatin e tij dëshiron ta përfundojë me indikacion të qartë për hapjen e Kapitullit të parë për Maqedoninë gjatë javës së ardhshme dhe shprehu bindjen se për këtë qëllim do të bëjë përpjekje maksimale.