OSBE ultimatum politikës: “Zgjidhje për Reformën Zgjedhore deri në fund të vitit!”

Ne do të dëshironim të ndihmojmë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, vitin e shkuar, organizuam gjashtë takime pune të gjera, ku u diskutuan praktikat më të mira.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i bëri thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të këtij viti.

“Ne do të dëshironim të ndihmojmë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, vitin e shkuar, organizuam gjashtë takime pune të gjera, ku u diskutuan praktikat më të mira.

Rekomandimet janë të shumta; disa janë shumë teknike, por disa nga aspektet më të rëndësishme janë: përcaktimi i mekanizmave për të shmangur presionin ndaj administratës publike gjatë zgjedhjeve, shmangia e abuzimit të administratës gjatë zgjedhjeve, hetimi i të gjitha akuzave për abuzime, përfshirë shitblerjen e votës, depolitizmi i administratës zgjedhore, përmirësimi i financimit të fushatave, mbikëqyrja e financimit përmes një KQZ-je të depolitizuar, ndalimi i kronikave të gatshme të përgatitura nga partitë dhe lejimi i gazetarëve për të ndjekur veprimtaritë dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur.

Ka edhe shumë të tjera. Disa rekomandime janë tepër teknike, prandaj nuk po ndalem në to. Në këto tryeza, kemi diskutuar se si zgjidhen këto probleme në vende të tjera, në sisteme të tjera. Ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë mënyrë. Vendimi i parlamentit gjerman, që kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformës, i jep një hov të ri këtij debati. Në fund të vitit të shkuar, u hartuan dy projektligje që adresonin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it deri në vitin 2017. Njëri prej tyre mbulonte rreth 90 për qind të tyre, ndërsa projektligji tjetër ishte paksa më i dobët, por, gjithsesi, janë një pikënisje e mirë.

Aspekti i dytë i diskutimeve është ai për teknologjitë e reja të votimit dhe ai i votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Edhe për këto dy çështje, organizuam dy takime pune vitin e shkuar dhe diskutuam me ekspertët e partive se si mund të arrihen. Për votimin e emigrantëve ekzistojnë modele të ndryshme dhe ekspertët tanë paraqitën të mirat dhe të këqijat e secilit model, qoftë ai i votimit në ambasada apo me postë. Sa i takon votimit elektronik, ekspertët tanë, gjithashtu, shpjeguan përparësitë, të metat dhe rreziqet. Nëse bëhet online, rreziqet janë të larta. Nëse bëhet offline, përgatitjet duhet të nisin shumë kohë më parë, pasi duhet zhvilluar një fushatë e hollësishme për t’u shpjeguar zgjedhësve se si funksionon. Pasi duhet siguruar që të moshuarit nëpër fshatra, të cilët nuk luajnë me smartfon përditë, të jenë në gjendje të përdorin pajisjen e votimit. Kjo është e bëshme, për kërkon kohë për t’u zbatuar dhe është shumë e kushtueshme. Një aspekt tjetër është numërimi elektronik, i cili është shumë më i lirë dhe më i lehtë.

Aspekti i tretë i diskutimit, i cili ka filluar kohët e fundit, është debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edhe ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor? Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente.

Së fundi, do të doja të theksoja që, për ne, gjëja më e rëndësishme janë rekomandimet. Duket se ato janë element themelor edhe në debatin e BE-së, prandaj ne do ta nxitim komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të vitit./CNA.al