Një operacion antidrogë i përbashkët mes Shqipërisë, Italisë dhe Gjermanisë është zhvilluar së fundmi.
Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Policia bën me dije se deri më tani 3 persona janë arrestuar nga Forcat Operacionale në vendin tonë, në qytetin e Vlorës.
Konkretisht në pranga ranë shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.