Omer Çelik: Duhet të dënohet deklarata e zëdhënësit Palladino për zgjedhjet në Turqi

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik, deklaroi të enjten se asnjë organ apo deklaratë e ndonjë shteti të huaj nuk është burim legjitimiteti për rezultatet e procesit zgjedhor në Turqi.

“Deklarata e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi procesin zgjedhor në Turqi është një komunikatë që duhet dënuar”, tha ai gjatë një konference për shtyp në selinë e AK Partisë në Ankara.

“Asnjë organ apo deklaratë e ndonjë shteti të huaj nuk është burim legjitimiteti për rezultatet e procesit zgjedhor në Turqi”, shtoi Çelik në një reagim ndaj komenteve të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Palladino, në lidhje me zgjedhjet lokale të 31 marsit në Turqi, shkruan TRT

I pyetur rreth zgjedhjeve vendore në Turqi gjatë konferencës ditore për shtyp të mërkurën, Palladino qe shprehur me këto fjalë: “I pamë lajmet (për zgjedhjet në Turqi). Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë bazë për çdo demokraci; pra, esenciale është gjithashtu të pranohen rezultatet e ligjshme. Ne s’presim më pak as nga Turqia, e cila ka një traditë të gjatë dhe krenare në këtë aspekt.”

Omer Çelik u bëri një apel edhe përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, të cilët ishin në Turqi për zgjedhjet e fundjavës së kaluar.

“E drejta e qasjes, mekanizmat e informimit që jua kemi mundësuar juve, nuk janë kaq aktive dhe kaq të fuqishme në asnjë vend të botës”, u shpreh mes të tjerash zëdhënës i AK Partisë.