Oktay: Në Antarktidë synojmë formimin e një baze të përhershme shkencore

Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay sqaroi se ky është një projekt strategjik jashtëzakonisht i rëndësishëm ku marrin pjesë 9 universitete

 Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay ka thënë se Turqia këtë vit do të formojë bazën e përkohshme shkencore në Antarktidë, me qëllim të formimit të bazës së përhershme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipi i shkencëtarëve i cili nesër do të udhëtojë për në Antarktidë, në Sakarya u takua me Oktay dhe ministrat turq Mustafa Varank dhe Bekir Pakdemirli.

Oktay potencoi se projekti organizohet nën kujdesin e Zyrës së presidentit turk dhe nën ingerencat e Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë dhe se qëllimi i Turqisë është të kalojë nga statusi i vëzhguesit në Antarktidë dhe të marrë statuesin e vendit këshilldhënës.

Sipas Traktatit Ndërkombëtar të Antarktidës nga viti 1959, këtë kontinent e menaxhon Këshilli Shkencor për kërkime të Antarktidës (SCAR) dhe Këshilli i menaxherëve të programeve kombëtare të Antarktidës (COMNAP).

Turqia është nënshkruese e Marrëveshjes së Antarktidës, por pa bazën e saj shkencore ka vetëm statusin e vëzhguesit në kontinent që është objekt i studimeve të shumta shkencore. Me hapjen e bazës shkencore, Turqia do të marrë statusin e vendit këshillues dhe do të bëhet pjesë e mekanizmit vendimmarrës në Antarktidë.

Oktay rikujton se 29 nga 53 shtetet anëtare kanë statusin e vendit këshillues.

“Me misionin shkencor të këtij viti ne themelojmë një bazë të përkohshme. Qëllimi ynë i ardhshëm është krijimi i një baze të përhershme. Para kësaj mbeten dy kushte që ne duhet të përmbushim në mënyrë që të marrim statusin e vendit këshilldhënës. Kjo është anëtarësimi në COMNAP dhe SCAR”, shpjegoi Oktay, i cili shpreson se Turqia do të përmbushë këto dy kushte dhe të bëhet vendi i 30-të këshilldhënës.

Ai shpjegoi se ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe strategjik që përfshin 9 universitete. Ai rikujtoi se më parë misionet shkencore ishin organizuar në vitin 2017 dhe 2018.

Oktay po ashtu shpreson se vitin e ardhshëm për misionin do të jetë gati anija e Komandës së forcave detare të Turqisë dhe se misioni i katërt do të realizohet me pjesëmarrjen e anijes turke.