OKB shqyrton letrën e Koresë së Veriut për anijen e konfiskuar nga SHBA

SHBA konfiskoi anijet e mallrave nga Korja e Veriut me pretendime se ka bartur thëngjill dhe makineri dhe shkelte sanksionet

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) të martën ka konfirmuar se po shqyrton kërkesën nga Koreja e Veriut rreth konfiskimit të anijes së saj të mallrave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stephane Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB-së, tha se letra nga Koreja e Veriut për të shqyrtuar konfiskimin nga SHBA-të është “shpërndarë dhe kishte qarkulluar”, raporton agjencia e lajmeve Yonhap me seli në Seul.

Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së më 8 maj njoftoi se ka konfiskuar një anije të mallrave të Koresë së Veriut për dyshimet se “bartte thëngjill dhe makineri” në kundërshtim me sanksionet e OKB-së dhe SHBA-ve të vendosura ndaj Pyongyang-ut zyrtar.Megjithatë, ambasadori i Koresë së Veriut në OKB, Kim Song, javën e kaluar i shkroi sekretarit gjeneral Antonio Guterres duke kërkuar “masa urgjente” kundër këtij veprimi.

Kim kritikoi këtë veprim duke e quajtur “të paligjshëm dhe mizor”.

“Ne, padyshim, jemi duke e studiuar letrën… pasi ndërlidhet me çështjen e sanksioneve mbi DPRK dhe me veprimet e ndërmarra për zbatimin e atyre sanksioneve’, tha Dujarric.

“Këto çështje që ndërlidhen me evazion të mundshëm të sanksioneve dhe zbatimi i rezolutave të Këshillit të Sigurisë nga shtetet anëtare, janë çështje që duhet të adresojnë shtetet anëtare”, tha ai.