OKB-së i dorëzohet lista e personave të dyshuar për krime lufte në Jemen

"Anëtarët e koalicionit, ku janë të përfshirë edhe qeveria e Jemenit, Arabia Saudite dhe EBA, kanë organizuar ose kanë kryer sulme joproporcionale dhe të cilat mund të përbëjnë krime lufte"

Kamel Jendoubi, kryetari i delegacionit ndërkombëtar për Jemenin, i themeluar nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se kanë përpiluar një “listë të fshehtë” të personave të dyshuar se kanë kryer krime ndërkombëtare, e cila përbëhet nga emra nga qeveria e Jemenit, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe se këtë listë ia kanë dorëzuar OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

  • OKB: Në Jemen mund të jenë kryer krime lufte
  • Koalicioni saudit do t’i përgjigjet raportit të OKB-së

Jendoubi, pas njoftimit të raportit nga delegacioni se forcat e qeverisë dhe të koalicionit në Jemen kanë kryer krime lufte, ka mbajtur një konferencë për shtyp në zyrën e OKB-së në Gjenevë me anëtarin e delegacionit Charles Garraway.

“Anëtarët e koalicionit, ku janë të përfshirë edhe qeveria e Jemenit, Arabia Saudite dhe EBA, kanë organizuar ose kanë kryer sulme joproporcionale dhe të cilat mund të përbëjnë krime lufte. Ata gjithashtu mund të jenë përfshirë në aktet e keqtrajtimit, torturës, sulmeve ndaj dinjitetit njerëzor, përdhunimit dhe krimeve të luftës, siç është përdorimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç në konflikte”, tha Jendoubi, duke nënvizuar se në vendin ku mbizotëron lufta civile janë kryer krime lufte.

Ai theksoi se kanë përpiluar një “listë të fshehtë” të personave të dyshuar se kanë kryer “krime ndërkombëtare” në Jemen dhe se këtë listë ia kanë dorëzuar Komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeyd Raad al-Hussein.

Jendoubi në lidhje me numrin dhe identitetin e personave që janë përfshirë në krimet e luftës nuk ka dhënë detaje.

Duke vënë theksin se gjetjet nga delegacioni ndërkombëtar tregojnë se palët që konfliktohen në Jemen vazhdojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kryerjen e krimeve ndërkombëtare, Jendoubi, tha se “Sipas delegacionit të ekspertëve, qeveria e Jemenit, EBA dhe Arabia Saudite janë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut. Delegacioni i ekspertëve gjithashtu ka arsye të besojë se shkeljet e të drejtave të njeriut ndodhin në zonat ku dominojnë fuqitë aktuale”.

“Bëjmë thirrje për armëpushim të menjëhershëm”

Jendoubi nënvizoi se palët konfliktuese në Jemen shkelin ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe se të gjithë autorët përgjegjës të krimeve të luftës duhet të japin llogari në gjykatat në vend dhe ato ndërkombëtare.

Po ashtu Jendoubi ka shtuar se në Jemen janë civilët ata të cilët paguajnë koston më të madhe, ku gratë dhe fëmijët vuajnë më shumë luftën dhe se kanë arritur në përmasa të tmerrshme rastet e abuzimeve seksuale.

“Për këtë i bëjmë thirrje të gjithë palëve konfliktuese në Jemen për ndalimin e menjëhershëm të konflikteve dhe mbrojtjen e civilëve si dhe i ftojmë që të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të vendosin armëpushim të menjëhershëm”, tha Jendoubi.

“Raporti nuk është politik”

Nuk është politik raporti në lidhje se disa persona nga qeveria e Jemenit, Arabisë Saudite dhe të EBA-s kanë kryer krime lufte, ka theksuar Jendoubi, duke shtuar se “Kemi përgatitur raportin duke përdorur metodologji. Ne nuk jemi në anën e askujt”.

Anëtari i delegacionit, britaniku Charles Garraway, u shpreh se raportin e kanë përgatitur duke u bazuar tek deklaratat e viktimave dhe dëshmitarët e luftës, vizitat e kryera në qendrat e paraburgimit, bisedimet për së largu, pamjet satelitore dhe fotografitë.