OKB miraton rezolutën për llogaridhënie për shkeljet në Gutën Lindore

Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka miratuar rezolutën mbi Gutën Lindore pas heqjes dorë nga draft-rezoluta e fundit e thirrjes për llogaridhënien e “krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta, e miratuar me 29 vota në favor, 4 kundër dhe 14 abstenime, kërkoi zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të paktën 30-ditëve të marrëveshjes së armëpushimit në Siri, llogaridhënie për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht dënoi mohimin e vazhdueshëm të qasjes humanitare në Gutën Lindore.

Kina, Kuba, Venezuela dhe Burundi votuan kundër rezolutës në këtë këshill të OKB-së, i cili përbëhet nga 47 shtete anëtare.

Guta Lindore, që ndodhet në periferi të Damaskut, është nën rrethim për pesë vitet e fundit dhe qasja humanitare në këtë zonë, që është shtëpi e 400 mijë banorëve, është ndërprerë plotësisht.

Në tetë muajt e fundit, forcat e regjimit sirian Bashar al-Assad kanë intensifikuar rrethimin e tyre të Gutës Lindore, duke e bërë pothuajse të pamundur që ushqimet dhe ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë mijëra pacientë në nevojë pa trajtim.

Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor pa vonesë në Siri.

Rezoluta e sotme dënoi sulmet e përsëritura në objektet mjekësore dhe në infrastrukturën civile, përfshirë përdorimin e armëve të rënda dhe bombardimet ajrore mbi civilët, si dhe përdorimin e supozuar të armëve kimike në Gutën Lindore.

Ajo poashtu ripohoi angazhimin e saj të fuqishëm ndaj sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.

– “Qasje e menjëhershme për dërgesat e ndihmës”

Rezoluta u bëri thirrje të gjitha palëve, në veçanti regjimit të Assad-it, që të lejojnë qasjen e sigurtë, të papenguar dhe të qëndrueshme të OKB-së për të gjithë njerëzit në nevojë, duke përfshirë qasjen e menjëhershme për dërgesat e ndihmës dhe evakuimin mjekësor brenda dhe nga Guta Lindore, si dhe mbrojtjen e personelit mjekësor dhe personelit tjetër humanitar, objekteve dhe transportit.

Ajo poashtu kërkoi nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimeve mbi Republikën Arabe Siriane, pas përtëritjes së mandatit të saj, urgjentisht të kryejë një hetim gjithëpërfshirës dhe të pavarur mbi ngjarjet e fundit në Gutën Lindore.

Të premten e kaluar, shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Zeid Ra’ad al-Hussein, tha se ka të ngjarë që krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të jenë kryer në Gutën Lindore dhe gjithkund tjetër në Siri dhe se ato duhet t’i referohen Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

“Ajo që ne jemi duke parë, në Gutën Lindore dhe gjithkund në Siri, ka të ngjarë me krime të luftës dhe potencialisht krime kundër njerëzimit”, tha al-Hussein në një takim mbi situatën në periferinë e rrethuar të Damaskut, në seancën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.

“Siria duhet t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Përpjekjet për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur këta kriminelë janë të turpshme”, theksoi ai.

Regjimi sirian, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera kishin kundërshtuar mbajtjen e një debati të tillë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ndërsa SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, vendet e BE-së dhe Turqia mbështetën debatin urgjent mbi Gutën Lindore.

Rusia hodhi poshtë takimin duke argumentuar se ishte “i padobishëm dhe joproduktiv”.