Një nxënës i vitit të dytë në gjimnazin “Skënderbeu” në Krujë ka hedhur spraj me piper drejt bashkëmoshatarëve të tij.
Paraprakisht bëhet me dije se ka qenë një nxënës i klasës XI të gjimnazit që ka hedhur në korridorin e shkollës një sasi nga spray vetëmbrojtës me spec djegës.
Për pasojë disa nxënës të shkollës janë ndjerë keq. Shërbimi shëndetësor ka shkuar në ambientet e shkollës, ndërsa 3 nxënës, sipas burimeve vendore, janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Të tjerë po trajtohen në ambientet e shkollës.
“Më datë 12.09.2023, në një gjimnaz në Krujë, një nxënës 16 vjeç ka hedhur në klasë, gjatë procesit mësimor, një sprajt me përmbajtje piperi, i cili si pasojë ka krijuar shqetësime te disa nxënës të klasës. Nxënësit po marrin ndihmën mjekësore në spitalin rajonal Krujë, ndërsa autori i dyshuar, së bashku me një 17-vjeçar, janë shoqëruar në komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.
Ngjarja ka cënuar qetësinë dhe procesin mësimor në këtë fillim viti shkollor duke përhapur panik mes nxënësve, pavarësisht se produkti nuk është i jashtëligjshëm nga një vlerësim i parë që i është bërë. Paraprakisht dyshohet se gjimnazisti që e përdori e ka menduar si një “lojë” për bashkëmoshatarët.