Numri i vizitorëve të huaj në Türkiye arriti në 44,6 milionë në vitin 2022

Türkiye tërhoqi rreth 44,6 milionë turistë të huaj në vitin 2022, që paraqet një rritje prej 80,3 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shifra pothuajse ka arritur nivelin e para-pandemisë prej 45 milionësh në vitin 2019, treguan të dhënat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Istanbuli, qyteti më i famshëm i Türkiye-s dhe më i madhi për nga popullsia, ishte destinacioni kryesor për vizitorët e huaj, duke mirëpritur më shumë se 16 milionë turistë.

Ai u pasua nga qyteti turistik Antalya me 12,8 milionë vizitorë, ndërsa Edirne, qytet i Türkiye-s veriperëndimore në kufi me Bullgarinë dhe Greqinë, mirëpriti 4,6 milionë turistë.

Me 5,7 milionë, gjermanët përbënin 12,7 për qind të totalit të vizitorëve, të ndjekur nga rusët me 5,2 milionë, britanikët me 3,3 milionë, bullgarët me 2,9 milionë dhe iranianët me 2,3 milionë.

Nëse numërimit i shtohen shtetasit turq që jetojnë jashtë vendit, atëherë shifra e vitit 2022 shkon në 51,4 milionë, pak më pak nga 51,9 milionë në vitin 2019.

Vetëm në dhjetor, numri i vizitorëve të huaj në Türkiye u rrit me 26,8 për qind në bazë vjetore, për të arritur në 2,4 milionë.