Nuk ka vetëm një sherif të ri në qytet

Nga Redi Shehu

E imagjionim deri në një fare mase atë se çfarë do të mund të ndodhte me presidencën Trump nëse ai do të fitonte zgjedhjet. Por ama, askush nuk mund ta sorollaste në mendje  as për një çast të vetëm, atë që Trump po bën në vetëm dy muaj. Intensiteti i deklaratave dhe ngjarjeve politike në këtë periudhë ka tronditur të gjitha bazamentet mbi të cilat është ngritur rendi i sotëm botëror. Në përgjithësi lëvizje të tilla, për shkak të aplitudës së lartë, marrin kohën e tyre në formë graduale, kurse ajo që po ndodh me tronditjen amerikane në marrëdhëniet ndërkombëtare, është njësimi i shpejtësisë dhe amplidutës në një masë ekstreme. Ajo që duket qartazi tashmë është se përpjekjet transformuese të administratës Trump, ndryshe nga mandati i parë i tij, janë përpjekje thelbësore që synojnë goditjen e këtij rendi global.

Në mandatin e parë, Trump  arriti të përçante shoqërinë amerikane duke prodhuar ngjarjet në Charlotteswille, pastaj levizjen që u bë globale “Black Lives Matter” dhe në ditët e fundit ngjarjet e papreçedentë të 6 Janarit 2021 me cënimin e rendit kushtetues amerikan. Ardhja e presidencës Biden pritej që të kuronte këtë çarje. Ai, në fakt, u betua si president me tezën e unitetit të kombit. Por, ajo që ndodhi më pas, ishte transformimi në një quasi diktaturë liberale që e çoi elitën majtiste drejt një histerie gjinore në mbarë botën, në kohën kur plagët e racizmit dhe ksenofobisë kullonin akoma gjak. Pra, shoqëria amerikane nga njëri ekstrem, kapërceu në ekstremin tjetër të presidencës Biden. Mjafton të ndezësh motorin e ekstremizmit dhe ai gjithmonë do prodhojë qëndrime dhe veprime të skajshme.

Zgjedhja e Trump si president u bë duke theksuar qartazi se politika e tij do të ishte trashëgimi  e eksperiencës së mëparshme Nëse në ditën e parë të mandatit të tij të parë ai firmosi 20 urdhëra ekzekutivë, në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, ai firmosi 200 të tilla. Kjo flet për përshpejtimin si thelbi i politikave që ai po ndjek. Po pse po nxitohet kaq shumë Trump? Koha është armikja më e madhe e tij, prandaj për të zhbërë rendin e vjetër çdo minut ka vlerën  vet. 

Atij i duhet të përballet me një rend botëror, që siç John Mearsheimer profesor i Univerisitetit të Chicagos dhe i pari që parashikoi luftën Rusi-Ukrainë, e quan rend liberal në marrëdhëniet ndërkombëtare i cili ishte hegjemonist për shkak se vetë bota nga 1990 deri në 2015-tën ishte unipolare me dominimin e qartë amerikan. Ky rend liberal, kishte ndërtuar një botë të bazuar në tre parime kryesore. I pari ishte “paqja demokratike” në të cilën një demokraci nuk mund të luftojë një demokraci tjetër dhe sa më shumë që demokracitë përhapen në botë aq më shumë bien shanset për luftë.  Parimi i dytë ishte marrëdhëniet e bazuara në “ndërvarësinë ekonomike” e cila i bën shtetet më të pasura e për pasojë edhe interesi për luftë zvogëlohet në maksimum. Ndërsa parimi tretë ishte ai të bazuarit në “institucionet ndërkombëtare” të cilat detyrojnë demokracitë të anëtarësohen në to, dhe ku lufta nuk është e pranueshme. Ky rend merr tipare globale vetëm në rastin e një rendi unpolar (SHBA) i cili shfaqet hegjemonist dhe i dikton botës vetëm një rrugë të marëdhënieve ndërkombëtare.

Në fakt ajo që po bën Trump, është  prishja e shpejtë e këtij rendi bazuar në këto tre parime. Kjo nuk është as më shumë e as më pak, por ajo që teoria realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare thotë se demokracitë edhe pse janë të tilla, nuk mund të frenojnë veten karshi konfliktit dhe ekspansionit dhe si e tillë atyre u duhet të mbijetojnë duke rifuqizuar veten gjë e cila sjell pastaj mirëqënie. 

Po të shoshësh atë që administrata e re amerikane po bën, është  çmontimi i  këtyre tre parime të rendit liberalist ndërkombëtar duke frenuar çdo organizatë apo fond i cili ndikon në përhapjen e demokracive nëpër botë. Po vendos tarifa me shtete kryesore të industrializuara dhe me bllokun e BE-së duke prishur ndërvarësine ekonomike si burim pasurimi i ndërsjelltë dhe duke u fokusuar në mirëqënien kombëtare amerikane. Kjo duke lënë anash parimin se nëse një ekonomi e zhvilluar që prodhon mirëqënie, nuk rrethohet po nga ekonomi të mirëqënies,  atëhere ajo është e destinuar të bëhet objektiv i ekonomive të varfra duke sjellë pafund probleme sociale. Ndërsa sulmi i tretë i Trump, është ndaj institucioneve ndërkombëtare si politike dhe të sigurisë duke e çliruar SHBA-në nga kufizimet që anëtarësimi në to të sjell, dhe duke e projektuar vetën drejt një  vendi me tipare koloniale në epokën e intelgjiencës artificiale. 

Pra thënë ndryshe Trump qartazi po del nga liberalizmi në marëdhëniet ndërkombëtare drejt teorisë së mbijetësës së më të fortit. Duke bërë kështu ai do përpiqet që të akumulojë sa më shumë forcë politike, ekonomike dhe ushtarake për të vendosur një rend të ri joliberal. Mirëpo vendosja e një rendi të ri joliberal, që në thelb ka mbijetesën e më të fortit, shtron premisat e një rendi multipolar ku fuqitë më të mëdha të kohës do të luftojnë për mbijetesë e për rrjedhojë sjell edhe fundin e hegjemonisë amerikane në botë. Tërheqja amerikane nga institucionet ndërkombëtare, që kanë qenë thelbi i fuqisë dhe hegjemonisë së saj, e bën të pashmangshme fundin e unipolaritetit.