Normalizohet situata në Hong Kong, Kina akuzon ShBA-në dhe BE-në për ndërhyrje

Një ditë pas protesta të dhunshme, Hong Kongu iu rikthye normalitetit, transmeton Ora News. Por dhunimi i parlamentit lokal shqetësoi Pekinin që akuzoi ShBA-në dhe Bashkimin Europian për ndërhyrje dhe nxitje të dhunës. Përkeqësimi i gjendjes në Hong Kong po shqetëson tani dhe Tajvanin, që druhet se në rast të bashkimit me Kinën do të humbë lirinë dhe demokracinë që ka ndërtuar deri më sot.

Në Hong Kong rikthehet paqja një ditë pas protestave të dhunshme të aktivistëve pro demokracisë.

Në rrugët përreth Këshillit Legjislativ gjendja ishte e qetë të martën, ndërsa shenjat protestës mjaft të dukshme.

Reagimet ishin të shumta. Qeveria kineze i akuzoi protestuesit që vandalizuan parlamentin e Hong Kongut si përgjegjës për kryerjen e “veprimeve të rënda të paligjshme”.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme në Pekin erdhi një ditë pasi një grup aktivistësh pro demokracisë pushtuan për disa orë Këshillin Legjislativ, pasi u ndanë nga protesta paqësore që po zhvillohej në ditën e përvjetorit të kthimit të rajonit të posaçëm administrativ nën sovranitetin e Pekinit.

Qeveria kineze u bëri thirrje autoriteteve të qytetit për të hetuar “përgjegjësinë kriminale të cenuesve të ligjit”.

Duke iu bërë thirrje vendeve të huaja të mos përfshihen në çështjet e brendshme të Kinës, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang, i quajti veprimet e ShBA-së dhe të Bashkimit Europian si hipokrite dhe të shëmtuara.

Edhe guvernatorja Carrie Lam i dënoi aktet e dhunës dhe kërkoi që shoqëria t’i kthehet normalitetit sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërkohë përplasjet mes protestuesve dhe autoriteteve në Hong Kong po shqetësojnë Tajvanin.

Autoritetet e ishullit të vetëqeverisur, druhen se liritë se demokracia që gëzojnë sot do të ketë të njëjtin fat me Hong Kongun, në rast të bashkimit me pjesën kontinentale të Kinës.