Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në maj të këtij viti, në Shqipëri numëroheshin 3.916 pika bastesh, ose 1 loto për çdo 730 banorë.
Në Angli, vendin që ka shpikur bastet, në fund të vitit të kaluar ekzistonin 8.500 pika bastesh, ose rreth 1 loto për 6.500 banorë. Italia, një tjetër vend me traditë në bixhoz, sipas të dhënave zyrtare numëron 13.500 qendra bastesh. Në raportin me popullsinë i bie 1 pikë basti për rreth 4.500 banorë.
Krahasimi tregon se numri i lotove në Shqipëri është dukshëm më i lartë edhe sesa vendet e ngjashme të rajonit. Sipas të dhënave nga Bordi serb i Bixhozit, në Serbi aktualisht numërohen 1.850 pika bastesh në të gjithë vendin. Për një popullsi prej 7 milionë banorësh, kjo do të thotë se Serbia numëron 1 pikë basti për 3.800 banorë.
Vendi që i afrohet më shumë Shqipërisë për përhapjen e basteve është Bosnje-Hercegovina. Por, edhe në këtë shtet, numri është të paktën 2.5 herë më i vogël sesa në Shqipëri. Sipas të dhënave të pubikuara nga Autoriteti boshnjak i Kumarit, në vitin 2017 në të gjithë Bosnjen ekzistonin 1.150 pika bastesh, ose 1 pikë për 1.750 banorë.
Përhapja e madhe e basteve në Shqipëri është rezultat i disa faktorëve, por më kryesori mbeten politikat favorizuese të shtetit. Në vitin 2015, Parlamenti miratoi një ligj për kufizimin e pikave të basteve dhe vendosjen e një distance të detyrueshme me shkollat apo objektet fetare.
Por, edhe pse ligji duhej të fillonte zbatimin që nga 1 janari i vitit 2017, përmes një amendamenti të beftë Parlamenti e shtyu hyrjen në fuqi të masave kufizuese edhe më dy vite të tjera, për në 1 janar të vitit të ardhshëm./topchannel