Një muaj nga nisja e luftës, Zelensky kërkesë NATO-s: Na jepni 1 % të armëve dhe të ushtrisë për të mposhtur Rusinë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje NATO-s që t’i japë 1 % të armëve të saj Ukrainës.

“Presidenti i bëri thirrje Aleancës që t’i sigurojë Ukrainës 1 për qind të të gjithë aeroplanëve të saj, të gjitha tanket, si dhe MLRS (sistem i raketave), armë kundër anijeve dhe pajisje të mbrojtjes ajrore”, ka thënë zyra e Zelenskyt në një deklaratë.

“Gjëja më e keqe gjatë luftës është të mos kesh përgjigje të qarta ndaj kërkesave për ndihmë”, shtoi ai, duke paralajmëruar se “Rusia nuk ka ndërmend të ndalet në Ukrainë”.

Ndërkaq, agresioni rus në Ukrainë ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 3.5 milionë të largohen nga vendi, me mijëra njerëz të vrarë ose të plagosur dhe me dëme të shumta si pasojë e bombardimeve.

Kërkesa e tij vjen në ditën kur udhëheqësit e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s kanë rënë dakord të forcojnë mbrojtjen e tyre në lindje në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.

“Ne kemi aktivizuar planet e mbrojtjes së NATO-s, kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, njoftuan ata në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Bruksel.