Një Brexit pa marrëveshje mund të godasë kompanitë gjermane

"Nga kjo situatë eksportet e Gjermanisë në Britani mund të preken nga një mesatare prej 4.3 për qind", thuhet në deklaratë

Sipas një hulumtimi të Institutit Gjerman të Ekonomisë (IW) me qendër në Këln, largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian do të ndikojë negativisht në masë të madhe kryesisht ndaj kompanive gjermane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rezultatet e studimit thuhet se tarifat e reja dhe pengesat e jashtme të tarifave mund të shkaktojnë një barrë prej miliarda eurosh për kompanitë dhe mund të dëmtojnë seriozisht tregtinë kryesisht për kompanitë gjermane.

Bëhet e ditur se Mbretëria e Bashkuar do të largohet në mars 2019 nga BE-ja dhe se kjo është një situatë që tashmë është e pritshme. “Por, ende është e paqartë se si duhet të organizohet Brexit-i. Deri më tani nuk ka patur ndonjë marrëveshje. Nëse kjo vazhon kështu, britanikët do të braktisin BE-në pa një marrëveshje të tregtisë së lirë. Si rezultat, ekonomia në të dy anët e kanalit do të jetë subjekt i kostove të larta pasi që do të kërkohen detyrime doganore”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se duke marrë parasysh modelet e tregtisë dypalëshe dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, për eksportet e BE-së në Mbretërinë e Bashkuar mund të vendoset tarfië doganore prej 2.8 për qind dhe për eksportet e Britanisë së Madhe në vendet e BE-së mund të vendoset një taksë doganore prej 6 për qind.

“Nga kjo situatë eksportet e Gjermanisë në Britani mund të preken nga një mesatare prej 4.3 për qind. Me një vëllim tregtar të fiksuar, kompanitë e BE-së mund të pësojnë humbje më shumë se 10 miliardë euro në vit. Edhe kompanitë britanike gjithashtu mund të humbasin rreth 5 miliardë euro”, thuhet në deklaratë.

Ndër të tjera thuhet se kompanitë gjermane mund të paguajnë më shumë se 3 miliardë euro në detyrime doganore dhe se do të ketë një kosto shtesë për më shumë se 1 miliard euro për secilën nga kompanitë belge dhe holandeze.

Zëvendësdrejtori i IW-së në Këln, Markos Jung lidhur me çështjen tha se “Ky skenar i frikshëm duhet të drejtojë politikën drejt veprimeve konstruktive”.

Sipas tij, afërsisht 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë është e lidhur drejtpërdrejt dhe tërthorazi me tregtinë me Mbretërinë e Bashkuar. “Mbretëria e Bashkuar është partneri i tretë më i rëndësishëm tregtar për kompanitë gjermane. Kjo mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në të ardhmen e parashikueshme”, tha Markos.