Nis sot viti i ri akademik – Rreth 20 mijë studentë në auditorë për herë të parë

Ka nisur sot viti i ri akademik 2023-2024 ku rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në bankat e universiteteve.

Regjistrimi i studentëve këtë vit u zhvillua në dy raunde. Regjistrimi u krye online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbetën kuota të lira pranimi, kandidatët që aplikuan në e-Albania u regjistruan drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare iu drejtua me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve.

“Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një etapë e re e jetës”, tha Manastirliu.