Ngrihet flamuri i NATO-s para godinës se Qeverisë së Maqedonisë

Në këtë solemnitet morën pjesë kori diplomatik, atashetë ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s, deputetët e Parlamentit të Maqedonisë dhe përfaqësues të Qeverisë

 Në një ceremoni solemne sot në shtizën para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u ngrit flamuri i NATO-s, menjëherë pranë atij shtetëror, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë solemnitet morën pjesë kori diplomatik, atashetë ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s, deputetët e Parlamentit të Maqedonisë dhe përfaqësues të Qeverisë.

Solemniteti filloi me intonimin e himnit të Maqedonisë nga ana e orkestrës ushtarake. Më pas Zoran Jankoviq, shefi i zyrës së NATO-s për lidhje në Shkup, ia dorëzoi kryeministrit të vendit Zoran Zaev flamurin e NATO-s, i cili më pas ia dorëzoi Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM).

Me intonimin e himnit të NATO-s, flamuri i Aleancës u ngrit në shtizë, menjëherë pranë atij shtetëror.

Zaev me këtë rast, duke theksuar se kjo është një faqe e re në historinë e Maqedonisë, tha se meritën më të madhe e kanë qytetarët të cilët guximshëm hapëruan dhe kërkuan ardhmërinë që e meritojnë.

“Sot këtu e ngrisim flamurin e NATO-s i cili së bashkë me atë evropian dhe me flamurin tonë përcaktojnë ardhmërinë tonë dhe brezave tanë. Kjo nuk është simbolikë, ky është realitet, kjo është një faqe e re në historinë tonë”, theksoi Zaev.

Ai veçmas falënderoi kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, për vizionin dhe guximin për të zgjidhur problemin me emrin.

“Veçmas falënderoj kryeministrin e Greqisë, mikun tim Alexis Tsipras, për vizionin dhe guximin e fuqishëm, të përcaktohemi për të gjetur zgjidhje për një problem, për shumëkënd të pazgjidhur. Zgjidhje e cila do të jetë shembull dhe nxitje për marrëveshje kompromisi mes fqinjëve në Ballkan. Kjo do t’i fshijë memoaret e këqija për Ballkanin që ende ekzistojnë në vetëdijen e shumë evropianëve. Ky është një akt shumë i madh historik për afirmimin e kësaj pjese të Ballkanit që ishte margjinalizuar si një provincë e thellë evropiane”, theksoi Zaev.

Ai në adresimin e tij po ashtu theksoi se Maqedonia, pas pritjeve me dekada, prej rrugës dytësore ballkanike arriti të kthehet në autostradën kryesore drejt Evropës.

Zaev për ditën e sotme falënderoi të gjithë ish-presidentët e shtetit, deputetët, ARM-në, ish-ministrin grek të Punëve të Jashtme Nikos Kotzias dhe atë aktual të Maqedonisë Nikolla Dimitrov, të cilët negociuan për marrëveshjen, me të cilën Maqedonisë iu hap rruga drejt integrimeve euroatlantike.