Ngec edhe Brazili, Zvicra e shqiptarëve reziston

Perla e Coutinhos nuk mjafton, Brazili “ngec” ndaj Zvicrës

Pas Argjentinës e Gjermanisë, edhe Brazili e nisi botërorin rus me një hap fals, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Zvicrës, në “Rostov Arena”.

Skuadra e Tites e nisi me mjaft entuziazëm lojën, ndërsa Neymar nuk i kursente numrat spektakolarë, sa herë që prekte topin. Nga ana tjetër, zviceranët përpiqeshin vetëm të ulnin ritmin e lojës dhe të mbanin sa më larg kundërshtarin.

Ndeshja nisi me Zvicrën në sulm, që çuditërisht vë në rrezik në pesë minutat e para Brazilin, por vetëm kaq. “Seleçao” i afrohet golit pas një aksioni dehës. Neymar pason në zonë për Paulinho, i cili provoi me një goditje diagonale, por sfera përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë të portierit (11’).

Pas 6’ minutash “Seleçao”, i afrohet sërish golit me anë të Gabriel Jesus, por Sommer pret pa vështirësi.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të përmes një goditjeje të pandalshme të Philippe Coutinhos nga jashtë zonës.

Deri në fund të pjesës së parë, brazilianët luajtën më mirë, mirëpo nuk ia dolën ta thyenin sërish mbrojtjen zvicerane.

Zvicra vuan shumë në këto minuta, me “Seleçao”, që nuk e ul ritmin për asnjë minutë. “Helvetët”, rrezikojnë vetëm nëpërmjet goditjeve standarde, pasi loja kontrollohet nga kundërshtari.

Në të 37-tën Zvicra, pati një mundësi të mirë për të barazuar ndeshjen, por Seferovic, shpërdoroi një rast mjaft të mirë. Thiago Silva i afrohet golit në minutën e fundit të kësaj pjese pas një goditje këndi, por topi përfundon mbi traversë.

Një moment përgjumjeje në mbrojtjen e Brazilit dhe aty përfitoi Zuber, i cili me kokë e dërgoi topin në rrjetë pas krosit nga këndi të Xherdan Shaqirit (50’).

Ky ishte goli i katërt për të me kombëtaren zvicerane. Pas këtij momenti, Brazili rrit temin dhe e kërkon më me shumë dëshirë golin. Neymar dhe Coutinho kthehen në një kërcënim serioz për Sommer, i cili e mbron portën e tij me çdo kusht. Danilo provon me një goditje të fuqishme nga distanca, por sfera përfundon jashtë (66’).

Coutinho i afrohet sërish golit pas një pasi nga Neymar, por ylli i Barcelonës nuk ka shënjestrën e duhur (70’). Zvicra përgjigjet tre minuta më vonë me Xhemalin, por Alisson pret pa vështirësi.

Brazilianët protestojnë për një shtyrje ndaj Mirandës, në momentin e golit, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor, që e cilëson të rregullt golin dhe ndeshja rifillon edhe njëherë në barazim.

Ishte Zuber ai që shtyn Miranda-n përpara se të godasë me kokë nga shumë pranë portës. Ndeshja bëhet e hapur pas golit të barazimit dhe të dyja skuadrat luajnë lojë të hapur. Brazili arrin të krijojë disa mundësi por bën shumë pasime të gabuara dhe as ndërrimet e Tite-s nuk japin efektin e duhur.

Thuajse të 40 minutat e mbetura u zhvilluan në gjysmëfushën e Zvicrës, me Brazilin që kërkonte me çdo kusht golin e fitores.

Rastet ishin të shumta, por herë për meritë të portierit Sommer dhe herë për mungesë të fatit, topi nuk arriti të përfundojë në rrjetën e zviceranëve, duke bërë që sfida të mbyllet në barazim 1-1.

FORMACIONI ZYRTAR:

Brazil: Alisson; Danilo, Thiago Silva, Miranda, Marcelo; Paulinho, Casemiro, Coutinho; Willian, Gabriel Jesus, Neymar

Zvicër: Sommer; Lichtsteiner, Schär, Akanji, Rodríguez; Behrami, Xhaka; Shaqiri, Dzemaili, Zuber; Seferovic

https://www.youtube.com/watch?v=fe7_pRdrWRo