Nga Vecihi Hürkuş tek avionët “Hürkuş”

Hürkuş” është avioni i parë turk i certifikuar nga autoriteti evropian i aviacionit civil. Po aq sa suksesi i “Hürkuş”, për Turqinë e rëndësishme është që këta avionë t’i shohim në qiej për të treguar besnikëri dhe mirënjohje ndaj Vexhihi Hyrkushit...

Festivali i Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë “Teknofest Istanbul”, organizuar për herë të parë në Turqi nga Bashkia Metropolitane e Stambollit dhe Fondacioni i Skuadrës Teknologjike të Turqisë (T3), u mbajt në datat 20-23 shtator. Presidenti i Bordit Ekzekutiv të Fondacionit T3, Selçuk Bajraktar (Bayraktar), tha gjatë takimit promotor të Festivalit se ky eveniment është shumë i rëndësishëm për manovrën e teknologjisë kombëtare. Këto fjalë u konfirmuan gjithashtu nga shfaqjet, garat, seminaret dhe punimet në atelie që u bënë përgjatë Festivalit.

Avionët “Hürkuş” u ekspozuan në Festival dhe njëherësh bënë një shfaqje ajrore. Teksa po shijoja akrobacitë e aeroplanëve “Hürkuş”, në mendje më erdhi menjëherë historia e jetës së pilotit, inxhinierit dhe sipërmarrësit Vexhihi Hyrkush (Vecihi Hürkuş; Zogu i Lirë – kuptimi i mbiemrit të tij në turqisht), i cili zë një vend me peshë në gjenezën e aviacionit turk. Pamjet e të rinjve tanë që kanë të njëjtat emocione dhe entuziazëm të Vexhihit, i cili pati realizuar projekte shumë të rëndësishme në moshë fare të re, janë më se shpresëdhënëse për të ardhmen e vendit. Mbështetja shtetërore që iu mohua Vexhihi Hyrkushit, sot po u hap rrugën shpikësve dhe sipërmarrësve të rinj. Situatën në fjalë vetë Hyrkushi e shpjegonte kështu: “E di shumë mirë se si e kanë nisur aviacionin dhe se si i kanë hapur atelietë në shtetet e huaja që kam vizituar. Mbi të gjitha, besimi dhe inkurajimi kombëtar ishin mjetet e vetme të suksesit në këtë rrugë. Edhe unë kam nevojë për këtë që t’ia arrij qëllimit. Liria e vetme që s’mund të na rrëmbehet, është liria për të zgjedhur qëndrimin tonë. Unë jam Vexhihi Hyrkushi, e kam merituar deri në fund mbiemrin që do ta bëjë me krahë vendin tim. Liria ime ishte t’ia kushtoja jetën time bindjes sime se rruga e vetme drejt pavarësisë kombëtare kalon nga prodhimi kombëtar. Sepse kush përpiqet të fluturojë me krahët e të tjerëve s’mund të jetë kurrë ‘zog i lirë’.

Sot Turqia ecën plot shpresë dhe vetëbesim drejt së ardhmes për të fluturuar me krahët e saj në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Vexhihi Hyrkushi u lind në Stamboll, më datë 6 janar 1896. Babai i tij u nda nga jeta teksa Vexhihi ishte ende shumë i vogël. Përveçse një prej emrave më të rëndësishëm të historisë së aviacionit turk, ai është edhe heroi i një historie të dhimbshme për ato që ka jetuar. Arritjet që i mundësuan atij të hyjë në historinë e aviacionit janë të shumta. Vexhihi është piloti turk i parë që ka rrëzuar një avion armik në vitin 1917, gjatë misionit të tij në Frontin e Kaukazit. Është projektuesi dhe prodhuesi i parë i avionëve që mbanin emrin e tij. Ai është themeluesi i shkollës së parë të aviacionit ushtarak dhe instruktori i gruas së parë pilote në Turqi. Po ashtu është themeluesi i shkollës së parë të aviacionit civil dhe i kompanisë së parë të linjave ajrore civile në Turqi. Ajo quhej Linjat Ajrore “Zogu i Lirë” (Hürkuş Hava Yolları – Freebird Airlines). Vexhihi është piloti i parë që ka fluturuar me 102 modele të ndryshme avionësh luftarakë dhe civilë. Ai ishte rekordmeni i asaj kohe me 30.000 orë fluturim mes viteve 1916-1967. Pjesëmarrës vullnetar në Luftën Nacionalçlirimtare të Turqisë, ai ka realizuar fluturime zbuluese mjaft të suksesshme, madje ka rrëzuar edhe një avion grek. Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë e ka dekoruar atë me “Urdhrin e Pavarësisë” për “arritjet dhe shërbimet e jashtëzakonshme gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”.

Në vitin 1925, Vexhihi realizoi fluturimin e parë me avionin “Vecihi K VI”, të cilin e kishte prodhuar një vit më herët. Një i ri 29-vjeçar prodhoi me mundësi të kufizuara aeroplanin e parë turk. Por në vend që të shpërblehej për këtë arritje, ai u gjobit duke iu prerë gjysma e rrogës dhe u dënua me 10 ditë burg shtëpiak, me justifikimin se kishte fluturuar pa leje. Ky dënim u bë shkak që Vexhihi të përjashtohej edhe nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Përmes një artikulli të publikuar vetëm disa javë më vonë, ai e proteston këtë situatë me fjalët: “E patëm harruar që ishim ushtarakë, kundërshtuam urdhrin.

Një fat të ngjashëm patën edhe Linjat Ajrore “Zogu i Lirë”, kompania e parë e aviacionit civil turk, e cila është themeluar prej tij në vitin 1954. Ai pati ngritur një flotë duke riparuar avionët e nxjerrë jashtë qarkullimit nga Linjat Ajrore Turke (Türk Hava Yolları – Turkish Airlines). Por fluturimet e tij u anuluan pa asnjë motiv dhe justifikim, avionët u sabotuan dhe rruga drejt suksesit iu bllokua.

Ai ndërtoi brenda 3 muajsh, në një zdrukthëtari të marrë me qira në lagjen “Kadëkoj” (Kadıköy) të Stambollit, aeroplanin e parë civil të Turqisë, “Vecihi XIV”. Fluturimin e parë me këtë avion e realizoi në 1930-n dhe më pas aplikoi menjëherë pranë Ministrisë së Ekonomisë për t’u pajisur me certifikatën e nevojshme që do t’i lejonte fluturimin me avionët që kishte prodhuar. Por përgjigjja e Ministrisë ishte negative: “Certifikata nuk mund të lëshohet për mungesë të ekspertëve që do të përcaktonin veçoritë teknike të aeroplanit.

Në thelb, kjo përgjigje tregon se me çfarë arsyesh është bllokuar rruga e prodhimit kombëtar./trt