Nga degët, te Kuvendi Kombëtar/ Berisha flet për zgjedhjet në PD: Në të gjithë këtë proces ka pasur dominim absolut vota e lirë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot para mediave për të folur për zhvillimet në PD që kulmuan me Kuvendin e së shtunës, ku u zgjodh dhe Këshilli Kombëtar i PD.

Berisha tha se që nga hapat e parë të kësaj lëvizjeje, vota e lirë ishte premtimi më solemn për demokratët dhe se në gjithë procesin e zgjedhjeve në seksione, degë deri tek Kuvendi dhe Këshilli ka pasur dominim absolut vota e lirë

“Jam sot para jush për të paraqitur disa nga tiparet më kryesore, zhvillimet më të rëndësishme, të Kuvendit të PD-së.
Një proces që nisi gjysmën e dytë të shtatorit, u finalizua me sukses të plotë në Kuvendin e datës 30 prill. Ata që rikujtojnë hapat e parë të kësaj lëvizjeje, premtimet më të para gjatë saj do të gjejnë se vota e lirë ishte premtimi më solemn që u bëmë demokratëve shqiptarë në fillim dhe më pas në mënyrë të përsëritur theksova para tyre se ne sollëm në Shqipëri votën e lirë, ndërkohë Edi Rama dhe për ngjashmëri Lulzim Basha e përzunë atë nga Shqipëria. Ne do e rikthejmë atë. Ky ishte zotimi ynë solemn. Mund t’ju them se nga ato ditë gjer sot PD kaloi procese si kurrë ndonjëherë më parë, kuvende gjigante, referendume të papara, kaloi në zgjedhje në çdo seksion, grupseksion, në degë dhe së fundmi në Kuvendin e datës 30 prill ajo bëri zgjedhjet për forumin më të rëndësishëm pas Kuvendit kombëtar që është Këshilli Kombëtar i PD-së. Në të gjithë këtë proces ka pasur dominim absolut vota e lirë. Ju e keni ndjekur atë, ju nuk gjeni një rast të vetëm që të thotë se nuk ishte i drejtë numërimi i tyre se pata një presion qoftë më të voglin nga sipër për të votuar në këtë apo atë mënyrë. Kjo mendoj unë përbën përmbushjen e një zotimi të një rëndësie themelore jo vetëm për PD-në, por për shoqërinë shqiptare”, deklaroi Berisha.