New York, protesta kundër dhunës ndaj ujgurëve në Kinë

"Liri për Turkistanin Lindor", "Ndal vrasjes së ujgurëve", ishin disa nga pankartat që mbanin demonstruesit para ndërtesës së konsullatës kineze në Manhattan

Në qendër të New Yorkut mbrëmë u mbajtën protesta masive për shkak të dhunës kundër komunitetit etnik turk ujgur në Kinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta para misionit diplomatik kinez në New York organizoi edhe Komuniteti Islam – Vizioni Kombëtar (IGMG), ku u mblodhën kryesisht muslimanët që jetojnë në SHBA.

“Liri për Turkistanin Lindor”, “Ndal vrasjes së ujgurëve”, ishin disa nga pankartat që mbanin demonstruesit para ndërtesës së konsullatës kineze në Manhattan.

Organizatori i protestës dhe kreu IGMG-së, Ayhan Ozmekik dënoi fuqishëm politikën e qeverisë kineze, e cila ushtron presione të larta dhe u merr të drejtat ujgurëve në Turkistanin Lindor dhe në krahinën autonome kineze Xinjiang.

Dje në një burg në Kinë vdiq poeti i famshëm dhe muzikanti ujgur, Abdurehim Heyit, ndërkaq Ozmekik tha se ai u burgos padrejtësisht dhe u vra në burg.

“Fuqimisht dënojmë këtë incident të neveritshëm i cili është vetëm një reflektim i politikës dhe persekutimit kinez në Turkistanin Lindor,” tha Ozmekik.

Demonstruesit i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ngre zërin kundër represionit të ujgurëve në Kinë.

Kreu i Kongresit Botëror të Ujgurëve, Dolkun Isa për AA tha se shtypja e ujgurëve në Kinë zgjatë prej vitesh.

Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, SHBA-së, Turqisë dhe vendeve të tjera të ngrihen kundër politikës së qeverisë kineze ndaj ujgurëve.

Dje, Turqia u bëri thirrje autoriteteve kineze të respektojnë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbyllin kampet e përqendrimit në të cilat po mbahen ujgurë të shumtë në Xinjiang.

“Nuk është më një sekret që më shumë se një milion ujgurë turq u janë nënshtruar arrestimeve dhe torturës si dhe shpërlarjes politike të trurit në kampet e përqendrimit. Ujgurët të cilët janë arrestuar në kampe janë nën presion të madh. Ujgurët që jetojnë jashtë vendit nuk mund të bien në kontakt me familjet e tyre. Mijëra fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre. Ripërsëritja e kampeve të përqendrimit dhe politika e asimilimit sistematik në shekullin 21 që po zbaton qeveria kineze ndaj turqëve ujgurë është një turp i madh për të gjithë njerëzimin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Duke komentuar rreth vdekjes të Abdurrehim Heyit, i cili ka dy vjet që ishte i mbyllur në rajonin e popujve Ujghur – Xinjiang, tha:

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e Abdurrehim Heyit, një nga poetët dhe muzikantët më të rëndësishëm ujgur, i cili për shkak të një vargu të tij u dënua me 8 vjet burg, vdiq në vitin e dytë të vuajtjes së dënimit”, tha Aksoy, duke shtuar: “Presim që autoritetet kineze të marrin në konsideratë reagimin e opinionit turk në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut”.