Netanyahut i jepet kohë shtesë për formimin e qeverisë

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ka realizuar një takim me Netanyahun në të cilin ka pranuar kërkesën për shtyrje dy javore të afatit kohor për formimin e qeverisë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka fituar kohë shtesë edhe për dy javë, që të formojë qeverinë e re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat e atjeshme shkruajnë se presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ka realizuar një takim me Netanyahun të hënën, në të cilin ka pranuar kërkesën për shtyrje dy javore të afatit kohor për formimin e qeverisë.

Sipas “Ligjit Themelor të Izraelit”, kandidatit për kryeministër i jepet një afat 28 ditësh për formimin e qeverisë, ndërsa ky afat mund të zgjatet nga presidenti për një periudhë shtesë jo më shumë se 14 ditë.

Në zyrën e kryeministrit tashmë për një dekadë, Netanyahu po synon formimin e qeverisë në mandatin e tij të pestë pas fitores në zgjedhjet e 9 prillit, në të cilat partia e tij djathtiste Likud, fitoi 36 vende në Knesset (Parlamenti i Izraelit).

Netanyahu garoi në zgjedhje në kohën kur po përballej me akuzat për korrupsion dhe ryshfet në tri raste.

Nëse arrin të formojë qeveri të re, Netanyahu do të jetë udhëheqësi me kohën më të gjatë në pushtet në historinë e Izraelit.