Nëntori muaji i gjashtë radhazi për 2023 me temperatura rekord

Nëntori është muaji i gjashtë radhazi i këtij viti që vendos rekord për nxehtësinë, ndërsa kjo vjeshtë ishte po ashtu më e nxehta, sipas Agjencisë evropiane të Klimës.

Kur ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundim të këtij viti, 2023-ta është në binarë për ta thyer rekordin për vitin më të nxehtë deri më tani.

Nëntori ishte gati një e treta e gradës më i nxehtë se nëntori më i nxehtë i deritanishëm, njoftoi të mërkurën Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut. Nëntori ishte 1.75 gradë më i nxehtë se kohërat paraindustriale, duke lënë mbrapa tetorin dhe shtatorin, për muajin më të nxehtë mbi mesatare, sipas shkencëtarëve.

“Gjysma e dytë e këtij viti ka qenë vërtet tronditëse”, tha zëvendësdrejtoresha e Kopernikut, Samantha Burgess.

“Shkencëtarët nuk po kanë fjalë më për ta përshkruar këtë”, shtoi ajo.

Temperatura mesatare gjatë këtij nëntori ishte 14.22 gradë, pra 0.85 grandë më nxehtë se mesatarja në 30 vjetët e fundit. Dy ditë gjatë këtij muaji ishin 2 gradë më të nxehta se kohët paraindustriale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, sipas Burgess.

Deri tani, ky vit është 1.46 gradë më i nxehtë se kohët paraindustriale, rreth një e shtata e gradës më i nxehtë se viti më i nxehtë deri tani, që ishte 2016-ta, sipas shkencëtarëve të Kopernikut.