Në shtator nis shpërndarja e fondit IPARD, 97 milionë euro grant për zonat rurale

Nga muaji shtator fermerët do të mund të përfitojnë 97 milionë euro nga fondi IPARD në formë granti, projekt që pritet të zgjasë rreth 3 vjet.

Nga muaji shtator fermerët do të mund të përfitojnë 97 milionë euro nga fondi IPARD në formë granti, projekt që pritet të zgjasë rreth 3 vjet.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, gjatë një takimi në fshatin Fishtë të Lezhës me sipërmarrës dhe drejtues bankash në kuadër të projektit “100 FSHATRAT – 100 modele zhvillimi të integruar për Rilindjen Rurale”, bëri të ditur se qeveria ka një projekt ambicioz për zhvillimin e zonave rurale dhe kërkoi më shumë vëmendje nga sipërmarrja për t’i dhënë jetë dhe zhvillim këtyre zonave rurale.

“Programi ‘100 fshatrat’ synon që përmes një mënyre inteligjente të arrijmë të kemi një model suksesi për zhvillimin e zonave rurale. Nëse kemi 3 500 fshatra ne s’kemi mundësi financiare që brenda një mandati t’i zhvillojmë këto fshatra, por kemi mundësi që brenda një mandati të bëjmë më të mirën për 100 fshatra dhe kështu të krijojmë 100 modele suksesi, që do frymëzonte dhe zonat e tjera rurale drejt zhvillimit. Ky është program që përfshin katër ministri, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ministrinë e Kulturës dhe atë të Financave. Pra janë katër ministri që janë përfshirë në këtë program të ‘100 fshatrave’, që është i pari i këtij lloji, do të thoja dhe historik dhe duam që kjo aleancë të shkoj dhe përtej qeverisë”, – tha Peleshi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, tha se janë bërë një sërë takimesh me ambasadorë, sipërmarrës vendas e të huaj, po ashtu dhe kryetarë bashkish, pasi pushteti lokal ka një rëndësi të veçantë në këtë proces, si përfitues direkt nga ky projekt.

“Ky takim sot është vlerë e shtuar, një hallkë që duhet të forcohet për t’ia dalë me sukses për të ngritur këtë model me 100 fshatrat e parë. Dhe përmes kësaj ne shtojmë interesin tuaj për të dhënë kredi dhe për të bërë biznes në hapësirën rurale, që deri më sot është modeste. Dhe duke qenë që këto të ardhura janë modeste, ne duam diversifikim e zhvillimit ekonomik në fshat, pasi bujqësia dhe blegtoria shqiptare si e pamodernizuar dhe kooperativizuar nuk sjell të ardhura të larta”, – tha Peleshi, duke sqaruar se për të motivuar modernizimin po ndiqen politika intensive fiskale, duke përjashtuar nga taksimi fermerët që krijojnë bashkëpunime bujqësore në formën e kooperativës.

Duke u ndalur te burimet e financimit, Peleshi tha se “së pari, kemi rritur mbështetjen nga buxheti i shtetit për subvencionet dhe grantet në fshat. Këtë vit jemi duke shpërndarë 20 milionë euro nga buxheti i shtetit, bujtinat, agroturizmin, janë 31 projekte nga të cilat janë aplikuar dhe brenda vjeshtës nisim programin më të madh historik të mbështetjes së fshatit, IPARD. Ky program ka një fond prej 94 milionë euro në një periudhë 3-vjeçare. Programi tjetër është ajo e donatorëve, që ne i kemi kërkuar të alokohen dhe të ri-alokohen drejt 100 fshatrave”, – tha Peleshi.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155990265861523/