Në të gjithë Shqipërinë ka filluar viti i ri shkollor 2018-2019, ku drejtues të lartë të vendit kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në Tiranë, por edhe në qytete të terja të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në ditën e parë të shkollës ishin të pranishëm në Shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë. Në fjalën e tij në ceremoni, Rama tha se fillimi i vitit të ri shkollor është një ditë shumë e shënuar për nxënësit.
“Fillimi i këtij viti, me librat falas për fëmijët nga klasa e parë në të katërtën dhe për të gjithë ata që janë në kategoritë e familjeve në nevojë, është një nga shenjat e një ndryshimi rrënjësor që nuk është thjesht tek muret, nuk është thjesht tek infrastruktura, por është tek tekstet, është tek mësuesit dhe tek gjithë mënyra se si ndërtohet programi i shkollës”, tha Rama.
Sipas Ramës në përpjekjen për të qenë sa më lart në shkallën që meritojnë prindërit, “ne do të vazhdojmë të bëjmë ende shumë më tepër, sepse çka është bërë, është shumë në raport me ku ishim, por në raport me ku duam të shkojmë, shumë më tepër mbetet për t’u bërë”.
Këtë vit shkollor në institucionet e arsimit parauniversitar nisën mësimin 480 mijë nxënës, nga të cilët 32 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës.