Në 2020-n, familjet shqiptare shpenzuan 72 milionë euro më shumë për shëndetin, sipas INSTAT

Vitit 2020 ishte i jashtëzakonshëm, teksa pandemia ndikoi ndjeshëm shëndetin e popullatës dhe aktivitetin e ekonomisë.

Ndërsa vala e parë e virusit u arrit të frenohej si rrjedhojë e karantinës së fortë, në pjesën e dytë të vitit shumë familje dhe individë u gjendën përballë zgjidhjeve të vështira, ndërsa për shumë pasojat ishin fatale. Totali i vdekjeve në vend u rrit me rreth 26%, ose rreth 5,700 jetë të humbura më shumë në raport me mesataren 2016-2019, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Përballimi i pandemisë ka pasur kosto të larta për ekonominë familjare.

Ndërsa deri tani ka pasur tregues indirektë, si importet e barnave, apo rritja e të ardhurave të operatorëve në tregun farmaceutik dhe të laboratorëve, për herë të parë INSTAT, në Anketën e Buxhetit të Familjeve ka dhënë informacion mbi rritjen e shpenzimeve për shëndetin.

Sipas INSTAT, shpenzimet mujore të një familjeje në 2020-n për shëndetin ishin 4,487 lekë, nga 3,506 vitin e mëparshëm, me një rritje prej 28%.

Për një muaj, shpenzime mesatare për 769 mijë familje ishin 3.4 miliardë lekë (28 milionë euro), ndërsa për një vit shuma totale e shpenzuar është 41.4 miliardë lekë, ose 334 milionë euro, nga 261 milionë euro. Në raport me vitin e mëparshëm, janë rreth 72 milionë euro shpenzime më shumë për shëndetin në 2020-n.

Pesha që shpenzimet për shëndetësinë zënë në totalin e buxhetit të familjeve arriti 5.4% në 2020-n, në nivelin më të lartë të paktën që prej vitit 2007, kur INSTAT raporton të dhënat. edhe në vlerë absolute, shpenzimet mujore të një familjeje për shëndetin ishin më të lartat të regjistruara ndonjëherë.

Teksa Shqipëria ka numrin më të ulët të doktorëve në Europë për 10 mijë banorë, me 16.5 mjekë (nga 47.6 që është mesatarja europiane), shumë familje dhe individë u detyruan që të përballonin kostot për kurimin nga xhepi, si në blerjen e medikamenteve, shtrimit në spitale private, apo në sigurimin e oksigjenit.

Sipas të dhënave të tjera të publikuara më herët nga “Monitor”, nga bilancet e spitaleve private, klinikat kryesore të analizave dhe kompanisë më të madhe të sigurimit të oksigjenit tregojnë se të ardhurat e 19 shoqërive në fushën e shëndetit (spitale private, depo farmaceutike, laboratorë analizash dhe tregtim i oksigjenit), u rritën me 15%, ose gati 50 milionë euro më shumë.

Indirekt, kjo tregon një pjesë të shpenzimeve shtesë nga xhepi për të përballuar pandeminë dhe është sa 70% e shtesës së raportuar nga INSTAT.

Të tjera shpenzimet vështirë të matshme direkt, por që raportohen indirekt nga INSTAT nga anketa e buxhetit të familjeve lidhen me pagesat për shërbimet në shtëpi nga infermierët, barnat e paregjistruara, apo dhe koston e kurimit jashtë vendit.

Një raport tjetër i “Together for Life” gjeti se rimbursimet e shpenzimeve anti-Covid për të gjitha grupet e popullatës ishin minimale, duke i lënë qytetarët, sidomos të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të përballen vetë me kostot financiare të pandemisë. Në total, për periudhën nëntor 2020-maj 2021, nga fondi total i dedikuar për rimbursimin e të prekurve me Covid-19 prej rreth 1,2 miliardë lekësh (9.7 milionë Euro) u shpenzuan 28.8 milionë lekë, ose 234 mijë Euro. Përfituan gjithsej 7183 pacientë nga viti 2020 deri në maj 2021, ose mesatarisht 4019 lekë (33 Euro) për pacient. /monitor