Në 2019-ën rritet sipërfaqja e lejeve për hotele 15-fish

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tre muajve të parë të vitit janë dhënë 28 leje ndërtimi.

286 mijë metra katrorë është sipërfaqja e lejeve të dhëna për hotele vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tre muajve të parë të vitit janë dhënë 28 leje ndërtimi. Ndonëse si numër lejesh rritja ka qenë modeste, 28 nga 25 leje që ishin tremujorin e një viti më parë, sipërfaqja e ndërtimit është 15-fishuar në raport me një vit më parë.

Sipërfaqja mesatare për një leje të dhënë për hotel përllogaritet të jetë 10 mijë metra katrorë, kjo do të thotë që një pjesë e këtyre lejeve janë dhënë për struktura me kapacitetet të larta akomoduese. Prej vitit 2016 është rritur interesi për të ndërtuar në sektorin e hotelerisë në vend, me një rritje të shpejtë të numrit të lejeve të dhëna sikurse tregojnë edhe shifrat e INSTAT.

Në total, për vitin 2016, u dhanë 11 leje ndërtimi, ndërsa në vitet në vijim, 2017 dhe 2018, u dhanë përkatësisht 53 dhe 75 leje. Ritmi i rritjes ka vijuar edhe gjatë 2019-s, sikurse tregojnë të dhënat paraprake, ku vetëm sipërfaqja e dhënë në tre muajt e parë është sa dyfishi i sipërfaqes së dhënë gjatë gjithë viti të kaluar. /Monitor